Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë ka kërkuar më 14 maj 2025 vazhdimin e paraburgimit për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në lidhje me çështjen ku ai akuzohet për pengim të administrimit të drejtësisë, së bashku me disa bashkëpunëtorë, përfshirë Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun, Isni Kilajn dhe Hajredin Kuçin . 
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Në kërkesën e saj, ZPS thekson se ekziston dyshimi i bazuar se Thaçi ka kryer krime që bien në juridiksionin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK). Gjithashtu, prokuroria argumenton se ekziston rreziku i arratisjes, pengimit të procesit gjyqësor dhe kryerjes së veprave penale të tjera nga ana e Thaçit. 
ZPS thekson se asnjë masë alternative ndaj paraburgimit nuk do të ishte e mjaftueshme për të zbutur këto rreziqe. Sipas prokurorisë, garancitë që Thaçi mund të ofrojë nuk janë të mjaftueshme për të garantuar përmbushjen e kushteve apo për të kapërcyer rreziqet konkrete që lidhen me lirimin e tij. 
Prokuroria gjithashtu vëren se Thaçi është në dijeni të provave kundër tij dhe se, nëse dënohet, mund të përballet me një dënim të gjatë. Në këtë kontekst, ndalimi i vazhdueshëm i Thaçit mbetet i arsyeshëm dhe proporcional. 
Aktualisht, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa së fundmi është ngritur edhe një aktakuzë kundër tij për pengim të administrimit të drejtësisë .  
Në paraqitjet e tyre të para në nëntor 2020, Hashim Thaçi dhe bashkë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë .