Faleminderit nga zemra për çdo mbështetës të Partisë Socialiste që dha votën e tij në këto zgjedhje. Faleminderit gjithashtu edhe për çdo qytetar që na u bashkua këtë herë, edhe nëse nuk e ndan plotësisht vizionin tonë. Çdo votë është vlerë dhe përgjegjësi.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Një mirënjohje e veçantë për të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit. Këto zgjedhje shënuan një moment historik për pjesëmarrjen e diasporës – ndër më të lartat në nivel europian. Kjo tregon përkushtimin e tyre për Shqipërinë, pavarësisht distancës.
Edhe pse numërimi i votave ende vazhdon, është e qartë që shumica e shqiptarëve jashtë vendit ndajnë të njëjtin mendim me shumicën brenda kufijve: Shqipëria duhet të ecë përpara, drejt Bashkimit Europian dhe drejt një të ardhmeje më të mirë.
Kjo mbështetje ka një domethënie të jashtëzakonshme për mua dhe për të gjithë ne që punojmë për të ndërtuar një vend më të drejtë e më të zhvilluar. Nuk ka fjalë të mjaftueshme për të falënderuar të gjithë ata që besuan tek ne.
Një falënderim sa vetë numri i shqiptarëve që jetojnë nën këtë qiell. Faleminderit për çdo besim, çdo votë dhe çdo shpresë që na keni dhënë.
Edhe këtë herë, ashtu si në zgjedhjet e kaluara, nuk kam pasur pranë atë dashurinë pa kushte që më ndiqte si hije para ekranit të TV-së – nënën time. Tani ajo është bashkuar me babain. Por këtë herë, duke ndjerë prezencën e tyre shpirtërore, dua t’i them: më bëni hallall, besoj se më shohin nga lart, dhe janë krenarë për Shqipërinë që po ndërtojmë së bashku.