Prokuroria e Posaçme ka zbuluar se ish-presidenti Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi kanë shpenzuar rreth 240 mijë dollarë përmes një karte të dytë bankare, të cilën ia ka vënë në dispozicion biznesmeni shqiptaro-amerikan Adrian Shatku.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Avokati Edmond Petraj, në një intervistë televizive, ka kërkuar që përdorimi i kartës të analizohet me kujdes, duke theksuar se mund të ketë pasur autorizim të plotë nga vetë Shatku.
Sipas tij, nëse është dhënë autorizim për përdorimin e kartës, nuk mund të flitet menjëherë për vepër penale. Por nëse provohet keqpërdorim pa leje, atëherë mund të kemi të bëjmë me një shkelje të rëndë ligjore.
Petraj shtoi se kjo kartë bankare është vetëm një pjesë e vogël e hetimit të gjerë pasuror që po zhvillohet ndaj çiftit Meta-Kryemadhi.
Sipas tij, Prokuroria ka dërguar letërporosi në disa shtete për të hetuar nëse çifti ka pasuri të padeklaruara jashtë vendit.
Ndërkohë, Petraj komentoi edhe mbi procesin penal ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, duke deklaruar se në rast se ai shpallet fajtor, mund të përballet me një dënim që shkon nga 8 deri në 10 vjet burg.
Ai vlerësoi vendimin e gjyqtares Elsa Ulliri për të dhënë dorëheqjen nga çështja “Partizani”, për shkak të lidhjes familjare me deputeten demokrate Andia Ulliri, duke e cilësuar si një veprim të drejtë për të shmangur konfliktin e interesit.
Sipas tij, dorëheqja e saj është një akt moral dhe ligjor që e çliron procesin nga çdo dyshim mbi paanësinë e trupit gjykues.
Petraj tha gjithashtu se Ilir Meta pritet të kërkojë gjykim të zakonshëm, çka do të sjellë përballje direkte mes tij dhe Prokurorisë në sallën e gjyqit.
Ai përfundoi se përveç akuzave të tjera, Meta përballet edhe me një akuzë shtesë: fshehje të pasurisë, e cila do të shqyrtohet paralelisht me pjesën e provave të dorëzuara nga SPAK.