Tensionet mes komunitetit shqiptar dhe atij italian janë rritur pas ngjarjes së rëndë ku humbi jetën 25-vjeçari shqiptar, Rivaldo Rusi, gjatë një tentative për grabitje në Foria të Centola-s. Vrasësi, 58-vjeçari Aurelio Valiante, ndodhet nën hetim për vrasje me armë zjarri.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Sipas mediave italiane, një grup shqiptarësh dyshohet se ka ndërmarrë një akt provokues ndaj banesës së Valiante. Ata janë afruar natën, kanë thyer një ballkon dhe kanë tentuar të kuptojnë nëse ai apo familja e tij ndodhej ende në shtëpi.
Pasi panë se banesa ishte bosh, janë larguar në heshtje, duke mos marrë asgjë, por duke lënë gjurmë dëmtimi që provuan praninë e tyre. Kjo ngjarje ndodhi pas zhvendosjes së familjes Valiante në një vend të mbrojtur nga policia, për shkak të kërcënimeve të mundshme.
Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që ky veprim të jetë reagim ndaj urrejtjes që është përhapur në rrjetet sociale pas vrasjes së Rusi-t. Në TikTok dhe platforma të tjera, dhjetëra shqiptarë kanë publikuar mesazhe hakmarrjeje, duke përdorur slogane si “Gjakun e lajm me gjak”.
Policia po e trajton incidentin si paralajmërim për përshkallëzimin e konfliktit dhe po mban nën mbikëqyrje situatën për të shmangur ndonjë hakmarrje të drejtpërdrejtë. Ngjarja ka trazuar komunitetin lokal dhe ka shtuar frikën për dhunë të mëtejshme.
Ndërkohë, Prokuroria e Vallo della Lucania-s ka në hetim tre persona: Aurelio Valiante për vrasje me armë, vëllain e tij që dyshohet për fshehje të trupit, dhe Xhuijan Kurti, 27-vjeçar shqiptar që dyshohet të ketë qenë bashkëpunëtor i Rusi-t në grabitje.
Sipas hetimeve, trupi i Rusi-t është fshehur në një kazan vere, i mbuluar më pas me bimësi për ta fshehur vrasjen. Vëllai i Valiante-s dyshohet se e ka ndihmuar në këtë veprim. Kurti ndodhet aktualisht në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Një person i tretë që ishte i përfshirë në tentativën e grabitjes është ende në kërkim dhe konsiderohet pjesë e hetimit. Ai mund të jetë një dëshmitar kyç për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Pritet të kryhet autopsia mbi trupin e viktimës në morgun e spitalit “San Luca”, e cila do të jetë vendimtare për të kuptuar drejtimin e plumbit – nëse ai është qëlluar përballë apo nga pas – një detaj që mund të ndryshojë natyrën ligjore të rastit si vetëmbrojtje apo vrasje.
Autopsisë do t’i bashkëngjitet edhe një mjek konsulent i angazhuar nga familja e viktimës, e përfaqësuar nga avokati Fabio Della Corte, për të mbrojtur interesat e tyre dhe për të siguruar një hetim të paanshëm.