Një aksident tragjik i ndodhur në orët e para të mëngjesit të 1 qershorit në fshatin Pavlan të Pejës i mori jetën 25-vjeçarit Armir Osmani, djali i biznesmenit të njohur nga Mitrovica, Ismet Osmani.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Sipas raportimeve, Armiri ishte duke udhëtuar me një makinë Audi Q8 kur humbi kontrollin dhe u rrokullis disa herë në një fushë, duke pësuar lëndime fatale.
Disa orë para aksidentit, Armiri ishte përfshirë në një incident në Prishtinë, ku kishte pasur një përplasje fizike. Pas këtij incidenti, ai ishte nisur drejt Pejës, ndërsa një patrullë policore ishte vënë në ndjekje të tij.
Sipas dëshmive të policëve që ishin në ndjekje, makina e tij po lëvizte me shpejtësi të madhe kur doli nga rruga dhe u përplas.
Pas aksidentit, makina mori flakë dhe Armiri mbeti i bllokuar brenda saj. Policët nuk arritën të ndërhyjnë për shkak të flakëve të mëdha.
Ndihma mjekësore dhe njësitë zjarrfikëse arritën me vonesë në vendin e ngjarjes, dhe fatkeqësisht, Armiri nuk mundi të shpëtohej.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Driton Rugova, konfirmoi se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante të Policisë, ekipi i zjarrfikësve dhe ekipi mjekësor, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës.
Sot, familja, miqtë dhe të afërmit e Armirit janë mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit në varrezat e fshatit Zhabar të Mitrovicës.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, duke sjellë në vëmendje edhe një herë rreziqet e shpejtësisë së lartë dhe nevojën për kujdes në rrugë.
Familja Osmani ka kërkuar që të hetohen rrethanat e plota të aksidentit dhe të merren masat e nevojshme për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen.