Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka mbërritur sot në Tiranë për të marrë pjesë në Samitin e gjashtë të Komunitetit Politik Evropian. Në aeroport, ai u prit nga Kryeministri Edi Rama, i cili e shoqëroi personalisht gjatë pritjes zyrtare.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Erdogan ka ardhur në Shqipëri i shoqëruar nga disa anëtarë të kabinetit të tij qeveritar, në kuadër të pjesëmarrjes në këtë ngjarje të rëndësishme që për herë të parë zhvillohet në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë një momenti joformal, Presidenti turk nuk nguroi t’i tërheqë vëmendjen Kryeministrit shqiptar për veshjen e tij – konkretisht për atletet që Rama kishte zgjedhur të vishte gjatë pritjes.
Pas takimit, Rama e shoqëroi Erdogan për një pjesë të rrugës, përpara se të ndaheshin mes batutash dhe respekti të ndërsjellë.
Në deklaratat për mediat, Erdogan u shpreh optimist për rezultatet e Samitit, duke thënë se priten vendime pozitive dhe nisma konkrete në të mirë të paqes dhe bashkëpunimit europian.
“Presim shumë gjëra së bashku me vëllain tim shqiptar. Në Shqipëri, e gjithë bota do të dëgjojë zërin e paqes,” – u shpreh Erdogan në turqisht.
Samiti po zhvillohet nën moton “New Europe in a New World”, dhe ka mbledhur në Tiranë liderë të 47 shteteve evropiane, përfaqësues të lartë të BE-së dhe institucioneve ndërkombëtare.