Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë miratuar Ligjin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare për vitin 2026, një paketë e madhe që autorizon 901 miliardë dollarë për shpenzimet ushtarake.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Ky buxhet është 8 miliardë dollarë më i lartë se kërkesa fillestare e presidentit Donald Trump dhe konsiderohet ndër më të mëdhenjtë në historinë e SHBA-së.
Në përmbajtjen e ligjit përfshihet edhe Kosova, e cila vlerësohet si një element me rëndësi strategjike në Ballkanin Perëndimor.
Dokumenti riafirmon angazhimin amerikan për ruajtjen e paqes, stabilitetit, demokracisë dhe zhvillimit ekonomik në rajon.
Kosova renditet mes gjashtë shteteve kyçe të Ballkanit Perëndimor, ndërsa theksohet se stabiliteti i saj lidhet ngushtë me sigurinë e Evropës dhe interesat strategjike të Shteteve të Bashkuara.
Ligji nënvizon se përparimi demokratik dhe ekonomik në rajon është thelbësor për garantimin e paqes afatgjatë.
Një pjesë e rëndësishme e dokumentit i kushtohet dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kongresi amerikan e konsideron Marrëveshjen e vitit 2023 për normalizimin e marrëdhënieve si një hap pozitiv drejt zgjidhjes së mosmarrëveshjeve.
Po ashtu kërkohet që të ketë përparim të shpejtë në zbatimin e Aneksit të marrëveshjes.
Në dokument ritheksohet se zgjidhja përfundimtare duhet të mbështetet në njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve.
Ligji kundërshton qartë çdo ide për ndarje territoriale, shkëmbim territoresh apo ndryshim kufijsh mbi baza etnike.
Një tjetër pikë e rëndësishme është mbështetja për zgjerimin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor.
Dokumenti përmend edhe perspektivën e Kosovës për anëtarësim në Aleancën Veriatlantike, si dhe mbështetjen për integrimin në Bashkimin Evropian.
Ligji parashikon vazhdimin e ndihmës amerikane për forcimin e institucioneve demokratike dhe sundimin e ligjit në rajon.
Gjithashtu synohet rritja e investimeve dhe mbështetja e zhvillimit ekonomik në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Kosova përfshihet edhe në kuadrin e masave për monitorimin dhe kundërshtimin e ndikimit rus dhe kinez në rajon.
Në këtë kuadër parashikohet edhe forcimi i mbështetjes amerikane për sigurinë kibernetike, nga e cila pritet të përfitojë edhe Kosova.
Përveç Ballkanit, ligji përfshin fonde të konsiderueshme për sigurinë në Evropë, përfshirë ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe mbështetjen për vendet baltike.
Dokumenti vendos gjithashtu kufizime për uljen e pranisë së forcave amerikane në Evropë, duke ruajtur një nivel minimal të trupave në kontinent.
Me këtë legjislacion, SHBA riafirmon rolin e saj në sigurinë euroatlantike dhe përcjell mesazhin se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, mbetet pjesë e interesave të saj strategjike.
Leave a Reply