Policia greke ka arrestuar tetë persona si pjesë të një grupi kriminal që merrej me trafikimin e drogës në ishullin Mykonos. Në këtë rrjet ishin të përfshirë katër efektivë të policisë greke dhe katër shtetas shqiptarë, përfshirë një person në kërkim.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Hetimet zbuluan se ky grup rihedhte në treg drogë të sekuestruar nga vetë policia, ndërsa disa oficerë kishin lidhje me mafian lokale dhe u jepnin informacion mbi kontrollet e ardhshme policore.
Kreu i grupit ishte një oficer 42-vjeçar grek, i cili ishte në pezullim nga 14 janari 2025, për shkak të një rasti mashtrimi ndaj ish-partneres së tij në tetor 2024.
Një tjetër oficer 31-vjeçar, i cili kishte shërbyer në Departamentin e Narkotikëve të Athinës Juglindore, ishte bashkëpunëtori i tij kryesor. Ai dyshohet se ka sekuestruar drogë dhe e ka shpërndarë nëpërmjet rrjetit të tyre.
Në grup ishin përfshirë edhe dy shefa policie, njëri në Mykonos dhe tjetri në Akarnasi, si dhe disa shqiptarë, përfshirë dy vëllezër dhe partneren e kreut të grupit.
Në të njëjtën hetim janë përfshirë edhe 13 persona të tjerë, duke përfshirë edhe një shef policie tjetër që shërbente në zonë, i cili ka precedentë të rëndë kriminalë.
Disa prej të hetuarve janë të lidhur me një bandë mafioze që merret me trafikim të cigareve, ku njëri prej drejtuesve të saj, i shumëkërkuari “Entik”, është në arrati në Dubai.
Oficeri 42-vjeçar u arrestua më 23 tetor 2024 për mashtrim të përsëritur, dhe nga hetimet rezultoi se kishte një rol udhëheqës në grupin kriminal të trafikimit të drogës.
Në komunikimet e sekuestruara u konfirmua bashkëpunimi i ngushtë midis tij dhe një oficeri tjetër të policisë, që përfshinte edhe pazarë droge dhe informim të ndërsjellë për aktivitetet policore.
Në llogaritë bankare të tij dhe të partneres së tij u gjetën afërsisht 5 milionë euro, të dyshuara si të ardhura nga aktivitetet kriminale.
Vëllai i partneres së tij, një shqiptar 29-vjeçar, dyshohet se kishte rol në transportimin dhe shpërndarjen e drogës së sekuestruar.
Anëtarët e grupit përdornin aplikacione online për komunikim dhe dyshohet se “truri” i rrjetit ishte i përfshirë edhe në aktivitete të tjera të paligjshme, përfshirë informimin e biznesmenëve për kontrollet policore.