Gjykata e Apelit shpall të pafajshëm Luiz Ejllin për akuzën e falsifikimit të deklaratës noteriale
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Këngëtari i njohur Luiz Ejlli është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Apelit, duke përmbysur vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Fierit, e cila e kishte dënuar me 1 vit burg për falsifikim të një deklarate noteriale.
Vendimi i ri erdhi pas pranimit të ankesës së paraqitur nga avokatët Arbër Hoxha dhe Dritan Metani, të cilët arritën të bindin trupin gjykues se nuk kishte prova të mjaftueshme për fajësinë e Ejllit.
Gjykata e Apelit shpalli të pafajshëm edhe Fatmir Avdurramanin, personin për të cilin pretendohej se ishte përfituese i deklaratës së falsifikuar nga Luizi.
“Trupi gjykues, pas daljes nga dhoma e këshillimit, në mungesë të përfaqësuesit të prokurorisë në seancën e shpalljes së vendimit, vendosi: Ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë në Fier dhe shpalljen e pafajësisë për Luiz Ejllin dhe Fatmir Avdurramanin, ndërsa u la në fuqi pjesa e vendimit që lidhet me sekuestrimin e materialeve”, thuhet në dokumentin zyrtar të publikuar nga A2CNN.
Më herët, Gjykata e Fierit kishte argumentuar dënimin e Ejllit me bazë në një deklaratë të vitit 2015, kur ai zotëronte ende vulat e noterit, edhe pse Ministria e Drejtësisë ia kishte hequr të drejtën e ushtrimit të profesionit.
Sipas dosjes hetimore, deklarata e hartuar në atë kohë ishte përdorur më vonë, në vitin 2022, në Prokurorinë e Lushnjës, për të justifikuar pasuri të dyshuara si të përfituara në mënyrë të paligjshme. Me vendimin e sotëm, çështja ndaj këngëtarit mbyllet me konkluzionin se nuk kishte elementë të veprës penale për të cilën akuzohej.