Në përfundim të mbledhjes së qeverisë, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi për mediat vendimet kryesore të miratuara gjatë mbledhjes.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Një nga vendimet më të rëndësishme ishte miratimi në parim i marrëveshjes për sigurimet shoqërore mes Shqipërisë dhe Polonisë.
Sipas ministres Ibrahimaj, kjo marrëveshje e çon në 17 numrin e marrëveshjeve të nënshkruara nga Shqipëria në fushën e sigurimeve shoqërore me vende të ndryshme.
Ajo theksoi se këto marrëveshje kanë një rëndësi të veçantë për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.
Ministrja deklaroi se politika për zgjerimin e marrëveshjeve të sigurimeve shoqërore është ndjekur prej vitesh dhe është intensifikuar për shkak të numrit të madh të emigrantëve shqiptarë.
Ibrahimaj përmendi gjithashtu marrëveshjen me Italinë, një prej vendeve ku jeton dhe punon një numër i madh shqiptarësh, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm për garantimin e të drejtave të tyre.
Ajo bëri të ditur se aktualisht janë duke u negociuar edhe katër marrëveshje të tjera, të cilat pritet të paraqiten së shpejti për miratim në Këshillin e Ministrave.
Ndërkohë, ministri i Financave, Petrit Malaj, njoftoi miratimin e ndryshimeve në tre ligje që lidhen me sistemin financiar të vendit.
Bëhet fjalë për ligjin “Për shërbimet e pagesave”, ligjin “Për sistemin e pagesave” dhe ligjin “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”.
Sipas Malajt, këto ndryshime synojnë modernizimin e mëtejshëm të sistemit financiar shqiptar dhe përafrimin e tij me standardet dhe direktivat e Bashkimit Evropian.
Ministri theksoi se reforma pritet të sjellë përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset, përmes uljes së kostove të shërbimeve financiare, rritjes së sigurisë dhe përmirësimit të efikasitetit.
Gjithashtu, ndryshimet synojnë forcimin e mbrojtjes së konsumatorëve, rritjen e konkurrencës dhe nxitjen e inovacionit në tregun financiar shqiptar.
Leave a Reply