-Spitaleve franceze u është kërkuar të përgatiten për një skenar të mundshëm lufte në Europë, sipas një urdhri të Ministrisë së Shëndetësisë.

VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!

Dokumentet e siguruara nga gazeta Le Canard Enchaîné tregojnë se përgatitjet duhet të jenë gati deri në mars 2026.

Qeveria franceze parashikon një angazhim të madh ushtarak ku vendi mund të luajë rol mbështetës për aleatët e tij evropianë. Kjo do të thotë se spitalet duhet të jenë të gatshme të trajtojnë një numër të madh ushtarësh të plagosur.

Në këtë plan parashikohet që viktima të mundshme të mos jenë vetëm nga Franca, por edhe nga vende të tjera të Europës. Për këtë arsye, sistemi shëndetësor duhet të përshtatet për të përballuar një fluks masiv pacientësh.

Ministria e Shëndetësisë thekson se objektivi është të parashikohen, përgatiten dhe të menaxhohen nevojat shëndetësore të popullatës civile dhe ushtarake njëkohësisht.

Kjo kërkon bashkërendim mes mbrojtjes dhe kujdesit shëndetësor.

Në dokument përmendet rreziku i një “angazhimi të madh ushtarak”, ku sfida kryesore për spitalet do të jetë trajtimi i një numri të lartë viktimash nga jashtë vendit. Në këtë rast, spitalet civile do të duhet të pranojnë edhe pacientë ushtarakë.

Ndërkohë, Gjermania ka bërë të ditur se është në gjendje gatishmërie për shkak të stërvitjeve ushtarake ruse. Ministri i Mbrojtjes, Carsten Breuer, paralajmëroi se NATO do të jetë vigjilente.

Breuer tha se nuk ka tregues për ndonjë sulm të afërt nga Rusia, por theksoi se ushtria gjermane dhe aleatët do të mbajnë forcat në gatishmëri gjatë stërvitjes Zapad 2025 në Bjellorusi.

Ai sqaroi se nuk pritet që Vladimir Putin të shfrytëzojë këtë stërvitje për të sulmuar ndonjë shtet të NATO-s, megjithatë kujdesi mbetet i domosdoshëm.

Situata ka rritur shqetësimet në mbarë botën për mundësinë e një konflikti të ri global. Frika është se tensionet e rritura mund të çojnë Europën dhe botën drejt një Lufte të Tretë Botërore.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, paralajmëroi më herët se kërcënimet më të mëdha vijnë nga Rusia dhe Kina. Ai tha se një kombinim i veprimeve të dy fuqive mund të ndezë një konflikt botëror.

Rutte paralajmëroi se Pekini mund të tentojë pushtimin e Tajvanit, ndërsa Moska mund të përqendrohet te shtetet baltike – Estonia, Letonia dhe Lituania. Këto vende dikur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik dhe mbeten një pikë e ndjeshme për Kremlinin.

Në këtë klimë pasigurie, Franca dhe Gjermania po përgatiten që të mos zihen të papërgatitura, duke forcuar mbrojtjen dhe sistemet e tyre shëndetësore për çdo skenar të mundshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *