Christopher Hill, ish-diplomat amerikan që shërbeu në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, po vazhdon dëshminë e tij në Hagë në mbrojtje të ish-Presidentit Hashim Thaçi.

VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!

Ai tregoi një episod nga një vizitë në Likoc, ku situata ishte e rëndë, por qëllimi ishte takimi me përfaqësues të UÇK-së për të diskutuar rreth planit të Grupit të Kontaktit.

Hill theksoi se ishte i interesuar të gjente njerëz që mund të merrnin pjesë në negociata. Ata kishin rrezikuar shumë për të arritur tek një person që u ishte thënë se mund të fliste në emër të UÇK-së.

Ai u shpreh se kishte frustrim, pasi LDK kishte monopol dhe nuk përfaqësonte të gjitha pikëpamjet në Kosovë, ndërsa grupe të tjera dëshironin një përfshirje më të gjerë në vendimmarrje.

Sipas Hill, sfida kryesore ishte krijimi i një ekipi negociues që përfaqësonte të gjitha palët dhe që mund të diskutonte për dokumentin e propozuar.

Ai tha se nuk besonte se ekzistonte realisht një Shtab i Përgjithshëm i UÇK-së, por më shumë një përpjekje për të krijuar përshtypjen e një ushtrie të organizuar me hierarki të qartë.

Sipas tij, UÇK po mundohej të tregonte se kishte struktura politike e ushtarake të rregullta, por në praktikë nuk merrej asgjë konkrete prej tyre, gjë që ishte shkurajuese.

Hill tha se ua kishte bërë të qartë disa personave se kishte frikë se po kërkonin struktura që në fakt nuk ekzistonin.

Ai foli edhe për ambasadorin Gelbard, i cili e kishte cilësuar UÇK-në si organizatë “terroriste”, deklaratë që u diskutua gjerësisht në atë kohë.

U përfol se kjo deklaratë mund të kishte nxitur sulmin e Serbisë ndaj familjes Jashari, megjithëse Hill theksoi se nuk kishte prova për një lidhje të drejtpërdrejtë.

Ai shtoi se pas masakrës në Prekaz, qëndrimi i Gelbard ndaj Serbisë u ashpërsua dhe pati përplasje të forta me Millosheviqin, i cili më pas refuzoi të takohej me të.

Hill foli edhe për takimin e Ibrahim Rugovës me Millosheviqin, duke thënë se ky takim e dëmtoi Rugovën, pasi shumë njerëz në Kosovë nuk besonin se një takim i tillë mund të sillte përfitime dhe mendimi kritik ndaj Rugovës po rritej.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *