Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ndezur një përplasje të ashpër politike me ish-komandantin e UÇK-së, Sami Lushtaku, gjatë vizitës së tij në Skenderaj.

VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!

Gjatë një fjalimi, Kurti, pa përmendur emra, e përshkroi Lushtakun si një “multi-milioner” dhe si “ish-komandant që kënaqet kur i frikësohen njerëzit”.

Ai shtoi se qeverisja aktuale në Skenderaj është devijim nga sakrifica e dëshmorëve dhe martirëve të luftës, duke e akuzuar për mungesë programi dhe ideje.

Kurti tha se funksionet publike nuk janë për pasurim e sundim, por për shërbim me përkushtim dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve.

Këto deklarata shkaktuan reagim të menjëhershëm nga Sami Lushtaku, i cili vendosi t’ia kthejë Kurtit akuzat brenda ditës.

Në reagimin e tij publik, Lushtaku e quajti Kurtin një “demagog” që sipas tij, nuk ka sjellë gjë tjetër veç përçarje brenda vendit.

Ai e akuzoi kryeministrin se ka dëmtuar marrëdhëniet e Kosovës me aleatët më të rëndësishëm ndërkombëtarë.

Sipas Lushtakut, politika e Kurtit ka prodhuar vetëm sanksione nga BE-ja dhe përkeqësim të raporteve me SHBA-në.

Ish-komandanti i UÇK-së theksoi se marrëdhëniet me aleatët janë krijuar që nga koha e luftës, përmes miqësisë së ndërtuar nga Hashim Thaçi dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Ai theksoi se kjo miqësi e krijuar nga malet e Kosovës në vitin 1998 është bazë e fortë që nuk mund të shkatërrohet nga qasjet aktuale qeveritare.

Lushtaku shtoi se Skenderaj nuk mund të qeveriset nga ata që, sipas tij, dëmtojnë interesat kombëtare dhe prishin marrëdhëniet me partnerët strategjikë.

Përplasja e fundit mes Kurtit dhe Lushtakut është parë si pjesë e tensioneve politike në prag të zgjedhjeve lokale në këtë komunë, ku Vetëvendosje kërkon të forcojë pozitat e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *