Italia është goditur nga një valë e fuqishme stuhish që ka sjellë përmbytje, rrëshqitje toke dhe ka shkaktuar shqetësime serioze për banorët në disa rajone të vendit. Autoritetet kanë dhënë paralajmërime për mot të keq edhe gjatë ditëve në vijim.

VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje të rrugëve dhe dëmtime të infrastrukturës, duke e bërë qarkullimin shumë të vështirë. Në disa zona, makinat janë marrë përpara nga rrëketë e fuqishme të ujit.

Ndër rajonet më të prekura janë Lombardia dhe Veneto, ku uji ka hyrë në banesa dhe biznese, duke dëmtuar pronat e qytetarëve. Situata është përshkruar si emergjente nga autoritetet lokale.

Në ishullin Ischia, një nga zonat më të frekuentuara nga turistët, shirat e rrëmbyeshëm kanë shkaktuar vërshime që kanë marrë makina dhe kanë lënë pas dëme të konsiderueshme materiale. Banorët janë paralajmëruar të qëndrojnë në shtëpi.

Probleme të mëdha janë raportuar edhe në Gjirin e La Spezias, ku disa rrugë janë bllokuar nga uji. Kodrat mbi Gjenovë janë përballur me rrëshqitje toke, duke rritur rrezikun për banorët e zonës.

Parashikimet meteorologjike tregojnë se situata pritet të përkeqësohet edhe më tej. Reshje intensive pritet të prekin Toskanën dhe Lazion, sidomos zonat bregdetare të Detit Tirren.

Në Kampani dhe Siçili, meteorologët paralajmërojnë se mund të bjerë mbi 150 mm shi brenda vetëm një dite, gjë që rrit ndjeshëm mundësinë e përmbytjeve të reja.

Ky mot ekstrem lidhet me një fenomen të quajtur “kuazi-muson”, që shfaqet kur nxehtësia e grumbulluar gjatë verës ndërthuret me masa ajri të lagësht që vijnë nga Afrika e Veriut.

Ekspertët theksojnë se kjo përzierje krijon kushte të favorshme për stuhi të fuqishme, reshje të dendura dhe shtrëngata elektrike, të cilat po e bëjnë gjithnjë e më të paqëndrueshme situatën në Itali.

Shumë studiues të klimës e lidhin këtë gjendje edhe me ndryshimet klimatike. Deti Mesdhe po ngrohet më shpejt se mesatarja globale, gjë që fuqizon sistemet e motit ekstrem.

Qytetarët janë këshilluar nga autoritetet të kufizojnë lëvizjet dhe të ndjekin udhëzimet e mbrojtjes civile, pasi rreziku i përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të tokës mbetet shumë i lartë.

Ndërkohë, ekipet e emergjencës janë në terren për të ndihmuar banorët e prekur, por situata mbetet e pasigurt dhe ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për të parë se sa e madhe do të jetë përmasat e kësaj krize.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *