Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone të ashpra lidhur me incidentin e rëndë në qytetin e Vlorës, ku një efektiv policie, Ardian Isufi, në bashkëpunim me një person me precedentë penalë, dhunuan një 18-vjeçar që punonte si kamerier.

VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!

Përmes një postimi në platformën “X”, Rama e ka cilësuar pezullimin e efektivit si një hap fillestar që duhet të pasohet nga masa më ekstreme.

Ai ka kërkuar që Isufi të përjashtohet përfundimisht nga radhët e Policisë së Shtetit, pa asnjë mundësi rikthimi në detyrë.

Kryeministri theksoi se dorëzimi i efektivit në duart e drejtësisë është i pashmangshëm sapo ai të lërë spitalin.

Rama u ndal edhe tek masa të reja që pritet të përfshihen në reformën e kontrollit të territorit, duke e lidhur këtë rast me përgjegjësinë e shtuar të punonjësve të shtetit.

Ai nënvizoi se të gjithë ata që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët, nuk do të kenë më asnjë tolerancë në rastet e shkeljeve.

Sipas tij, çdo shkelje, qoftë gjatë orarit të punës apo jashtë tij, do të trajtohet me ashpërsi dhe do të ketë pasoja të rënda për përgjegjësit.

Kryeministri solli një shembull konkret, duke përmendur punonjësit që ndërtojnë pa leje për përfitime personale.

Ata që abuzojnë me hapësira publike apo përdorin funksionin për interesa të tyre, do të përballen jo vetëm me ndëshkim të njëjtë si qytetarët e tjerë, por edhe me ndjekje penale.

Më tej, Rama sqaroi se këta individë do të përjashtohen për një periudhë të gjatë nga çdo pozicion në administratën shtetërore.

Ai e konsideroi këtë një hap të domosdoshëm për të rivendosur besimin e qytetarëve tek shteti dhe për të garantuar integritet institucional.

Në përmbyllje, Rama dha mesazhin se ligji do të veprojë pa dallim dhe se shteti nuk do të tolerojë më asnjë abuzim nga ata që duhet të jenë shembull për shoqërinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *