Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Lulzim Halili, është arrestuar të martën në qytetin Svilajnac të Serbisë, sipas raportimeve të mediumit serb “Novosti”.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Mediat serbe bëjnë të ditur se 59-vjeçari nga Peja është ndaluar me urdhër të Zyrës së Prokurorit për Krime të Luftës në Serbi dhe ndaj tij është caktuar një masë ndalimi prej 48 orësh.
Sipas informacioneve të publikuara, Halili dyshohet për përfshirje në krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Lajmi për arrestimin e tij vjen vetëm disa ditë pas ndalimit në Kosovë të zyrtarit serb Igor Popoviq, i cili u paraburgos për përdorimin e gjuhës fyese ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në këtë kontekst, një ditë para arrestimit të Halilit, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u kishte bërë thirrje qytetarëve të shmangnin kalimin përmes territorit të Serbisë, duke theksuar rrezikun për sigurinë e tyre, sidomos për mërgimtarët.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një forcë politiko-ushtarake që kishte për qëllim çlirimin e vendit nga sundimi serb gjatë viteve 1990-1999.
Lufta e Kosovës, që kulmoi më 1998-99, solli humbjen e mbi 13.000 jetëve të civilëve dhe zhdukjen e mijëra të tjerëve.
Sipas të dhënave të fundit, mbi 1.600 persona – shumica prej tyre shqiptarë – konsiderohen ende të zhdukur.
Në vitet e mëvonshme, autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë ndërmarrë veprime ndaj disa individëve, të cilët janë akuzuar ose dënuar për krime lufte.
Gjatë konferencës për media, Kurti kujtoi gjithashtu se Serbia deri më sot nuk ka kërkuar ndjesë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.