Këshilli i Ministrave në Shqipëri ka miratuar ndryshime dhe shtesa në vendimin që rregullon dokumentet e identitetit të shtetasve shqiptarë, duke përcaktuar më qartë edhe procedurat për shpërndarjen e kartave elektronike të identitetit.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Vendimi i ri është propozuar nga Ministri i Punëve të Brendshme dhe plotëson kuadrin ligjor ekzistues për letërnjoftimet elektronike dhe digjitale të qytetarëve.
Ndryshimet lidhen kryesisht me mënyrën e dorëzimit të dokumenteve, përgjegjësitë e institucioneve dhe procedurat që duhet të ndiqen nga aplikimi deri në tërheqjen e kartës.
Në vendimin ekzistues është shtuar një aneks i ri, i cili përcakton rregullat konkrete për shpërndarjen e letërnjoftimeve elektronike dhe mënyrën e zbatimit të këtyre procedurave.
Dokumenti përcakton gjithashtu termat zyrtarë që do të përdoren gjatë procesit administrativ, me qëllim qartësimin e përgjegjësive dhe shmangien e paqartësive.
Autoriteti përgjegjës për këtë proces është shoqëria aksionare e ngarkuar me prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve biometrike, ndërsa zyrat e aplikimit organizohen në bashkëpunim me institucionet përkatëse.
Sipas rregullave të reja, karta elektronike e identitetit do të tërhiqet, si rregull, në të njëjtën zyrë ku qytetari ka kryer aplikimin.
Megjithatë, për të lehtësuar procesin për qytetarët, autoriteti përgjegjës mund të caktojë edhe ambiente të tjera për shpërndarjen e dokumenteve, me kusht që të respektohen standardet e sigurisë.
Tërheqja e kartës do të bëhet personalisht nga aplikuesi, sipas procedurave teknike të përcaktuara. Rregullat përfshijnë gjithashtu rastet kur aplikimi kryhet pranë zyrave jashtë Shqipërisë, përfshirë ato që funksionojnë në kuadër të përfaqësive diplomatike dhe konsullore.
Vendimi parashikon procedura të veçanta edhe për qytetarët që, për arsye fizike ose rrethana të tjera objektive, nuk mund të paraqiten në zyrat e caktuara për të tërhequr dokumentin.
Një tjetër pikë e rëndësishme lidhet me kartat e identitetit që nuk tërhiqen nga aplikuesit. Sipas rregullores, këto dokumente do të ruhen për të paktën 12 muaj nga data e prodhimit, por jo përtej muajit dhjetor të vitit pasardhës.
Pas përfundimit të afatit të përcaktuar, dokumentet e patërhequra do të evidentohen nga autoriteti përgjegjës dhe do të asgjësohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Për aplikimet e kryera jashtë vendit, dokumentet e patërhequra do të dërgohen brenda 12 muajve nga zyrat diplomatike dhe konsullore pranë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila do t’ia përcjellë autoritetit përgjegjës për asgjësim. Për zbatimin e ndryshimeve janë ngarkuar Ministria e Punëve të Brendshme dhe shoqëria përgjegjëse për dokumentet biometrike, ndërsa vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Leave a Reply