Bosi i lojërave të fatit mbi 3 vite i zhdukur, GJKKO merr këtë vendim për Ervis Martinajn!

Gjykata e Posaçme ka vendosur të rrëzojë kërkesën e bërë nga avokatët mbrojtës të **Ervis Martinaj**, i cili prej kohësh rezulton i zhdukur, si dhe nga familjarët e tij, për heqjen e sekuestros dhe lirimin e pasurive të tyre.

VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!

Sipas pretendimeve të mbrojtjes, kërkesa ishte paraqitur në gjykatë rreth dy vite më parë, ndërsa ligji parashikon që çështje të tilla të shqyrtohen brenda një afati njëvjeçar, duke ngritur kështu argumentin për tejkalim të afateve ligjore.

Pas shqyrtimit të çështjes dhe tërheqjes për vendim, gjyqtari **Erion Bani** ka vendosur rrëzimin e kërkesës së mbrojtjes.

Në arsyetimin e tij, gjykata ka theksuar se kërkesa për shuarjen e masës së sigurisë është e pabazuar në ligj dhe prova, duke marrë në konsideratë kompetencat e prokurorisë për hetim dhe zgjatjen e afateve të sekuestros.

Gjykata ka vlerësuar se masa e sekuestros është zgjatur disa herë dhe aktualisht është në fuqi deri në dhjetor 2025, çka sipas saj e bën kërkesën e mbrojtjes të pabazuar.

Në vendim theksohet gjithashtu se masa e sekuestros mund të shuhet vetëm në rast se, pas përfundimit të afatit të saj, nuk është paraqitur kërkesë për konfiskim nga prokuroria.

Në këtë rast, gjykata ka konstatuar se Prokuroria e Posaçme ka depozituar kërkesën për konfiskim brenda afateve ligjore, duke përjashtuar kështu kushtet për shuarjen e masës.

Për këtë arsye, Gjykata e Posaçme ka vendosur të rrëzojë kërkesën për heqjen e sekuestros mbi pasuritë e lidhura me Martinajn.

Në vitin 2023, me vendim të mëparshëm gjyqësor, u sekuestruan gjithsej 34 pasuri të lidhura me të dhe familjarët e tij, përfshirë prona të ndryshme, automjete dhe aksione në kompani.

Ndërkohë, në seancat e ardhshme pritet që, me kërkesë të SPAK, të thirren për dëshmi disa persona që zotërojnë ose kanë lidhje me këto pasuri, përfshirë edhe familjarë të afërt të tij.

Lista e pasurive të sekuestruara përfshin një sërë pronash të paluajtshme, biznese, automjete dhe aksione në kompani të ndryshme, të cilat dyshohet se lidhen me aktivitetin e tij dhe rrethin e tij familjar.

Ky vendim i gjykatës konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm në procesin hetimor që po zhvillohet nga autoritetet për këtë çështje të ndërlikuar.

Çështja mbetet ende në proces dhe pritet të ketë zhvillime të mëtejshme në vijim, ndërsa hetimet dhe procedurat ligjore vazhdojnë të jenë aktive.


Posted

in

by

Tags:

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *