Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara njoftoi të premten se ka vendosur sanksione ndaj presidentit të Kolumbisë, Gustavo Petro.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Vendimi, sipas njoftimit zyrtar, lidhet me “roli e tij në tregtinë e palejuar globale të drogës”.
Në listën e personave të sanksionuar përfshihen gjithashtu bashkëshortja dhe djali i presidentit kolumbian, si dhe ministri i Punëve të Brendshme të Kolumbisë.
Ky veprim shënon një nga ndërhyrjet më të ashpra të Washingtonit ndaj një udhëheqësi të Amerikës Latine në vitet e fundit.
Sipas sekretarit të Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, që nga ardhja në pushtet e Petros, prodhimi i kokainës në Kolumbi ka arritur nivelet më të larta të dekadave të fundit.
Në deklaratën e tij, Bessent tha se kjo situatë ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e furnizimit të tregut amerikan me drogë, duke “helmuar qytetarët amerikanë”.
Zyrtarët amerikanë e kanë cilësuar këtë vendim si pjesë të përpjekjeve për të frenuar trafikun ndërkombëtar të narkotikëve.
Sipas tyre, qeveria e Petros ka dështuar të bashkëpunojë në mënyrë efektive me agjencitë amerikane kundër këtij fenomeni.
Presidenti Gustavo Petro reagoi menjëherë përmes rrjetit social X (ish-Twitter), duke mohuar çdo lidhje me tregtinë e drogës.
Ai bëri të ditur se ka angazhuar një avokat amerikan për të kundërshtuar sanksionet në rrugë ligjore.
“Kam luftuar trafikun e drogës për dekada, dhe pikërisht për këtë përpjekje po përballem sot me masa nga një vend që kemi ndihmuar në kufizimin e konsumit të kokainës,” shkroi Petro.
Ai e quajti këtë veprim “një paradoks të madh”, por theksoi se “nuk do të ketë asnjë hap prapa dhe kurrë në gjunjë”.
Tensionet mes qeverisë kolumbiane dhe administratës së presidentit amerikan Donald
Trump kanë qenë të dukshme për muaj të tërë.
Ato u përkeqësuan sidomos pas shtimit të aktivitetit ushtarak amerikan në Karaibet jugore, që Kolumbia e ka cilësuar si ndërhyrje në rajon.
Sanksionet ndaj Petros vijnë disa ditë pasi Trump njoftoi se kishte ndaluar “të gjitha pagesat” që SHBA i dërgonte Kolumbisë.
Në të njëjtën periudhë, Departamenti i Shtetit amerikan i anuloi vizën zyrtare presidentit Petro, menjëherë pas përfundimit të sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Reagime ka pasur edhe nga ministri i Brendshëm i Kolumbisë, Armando Benedetti, i cili gjithashtu gjendet në listën e sanksioneve.
Në një postim në rrjetin X, ai deklaroi se “asnjëherë nuk ka hyrë në shtëpinë e ndonjë trafikuesi droge” dhe e cilësoi vendimin amerikan si “të padrejtë dhe politik”.