Refuzohet sërish lirimi i përkohshëm për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pas Jakup Krasniqit, edhe Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit u është vazhduar masa e paraburgimit për nga dy muaj.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Vendimi i fundit i Dhomave të Specializuara në Hagë vjen si përgjigje ndaj shqetësimeve për pengim të drejtësisë dhe ndikim mbi dëshmitarët.
Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara ka refuzuar kërkesat për lirim të përkohshëm për Veselin, Selimin dhe Krasniqin. Ndërkohë, paraburgimi është vazhduar edhe për Hashim Thaçin, i cili nuk ka paraqitur kërkesë për lirim.
Sipas gjykatës, ndonëse mungojnë dëshmi për rrezik arratisjeje, ekziston rreziku që të pandehurit të ndikojnë në dëshmitarë dhe të ndërhyjnë në procesin gjyqësor.
Në vendim theksohet se të akuzuarit, për shkak të pozitave të tyre të mëparshme, mund të kenë ende ndikim të konsiderueshëm në zhvillimin e procesit.
Avokati Ardian Bajraktari e konsideron këtë vendim të padrejtë dhe të pabazuar në ligj. Ai tha se janë përmbushur kushtet ligjore për zëvendësimin e paraburgimit me masa më të lehta.
Sipas tij, ish-krerët e UÇK-së kanë dëshmuar bashkëpunim të plotë me drejtësinë dhe janë përgjigjur çdo ftese nga Dhomat e Specializuara.
Bajraktari thekson se, meqë tashmë ka përfunduar dëgjimi i dëshmitarëve të Prokurorisë, nuk ka arsye reale për të mbajtur në paraburgim të akuzuarit.
Ndërkohë, Dhomat e Specializuara kanë nënshkruar një marrëveshje me Belgjikën për mbajtjen e të dënuarve, që sipas avokatit është pjesë e detyrave normale të institucionit.
Ai përmendi Nenin 50 të Ligjit për Dhomat e Specializuara, i cili parashikon marrëveshje me shtete të treta për pranimin e të burgosurve.
Mbrojtja e Kadri Veselit kishte ofruar masa të shumta sigurie, si dorëzimi i pasaportës, mbikëqyrje nga Policia e Kosovës dhe ndalim të kontakteve të paautorizuara.
Megjithatë, pavarësisht përmirësimit të kapaciteteve të Policisë së Kosovës, Gjykata e Hagës ka vlerësuar se këto masa nuk janë të mjaftueshme për të garantuar integritetin e procesit dhe mbrojtjen e dëshmitarëve.