Prokuroria Speciale e Kosovës ka nisur hetimet ndaj ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, lidhur me një rast të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, konkretisht për dhënien me qira të një fabrike për mbetje shtazore.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Në kuadër të hetimeve, Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar një urdhër për sekuestrimin e telefonit iPhone të ministrit Peci. 
Sipas burimeve të brendshme, ministri Peci është informuar paraprakisht për përmbajtjen e urdhëresës dhe është paraqitur për intervistim pa telefonin e tij.
Hetuesit e kanë paralajmëruar se nëse nuk dorëzon telefonin, do të përballet me arrestim. Pas kësaj, Peci ka dorëzuar një iPhone 16, por ka refuzuar të japë kodin për zhbllokimin e tij.
Përpjekjet për të zhbllokuar telefonin janë bërë nga Njësia e Forenzikës dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, por pa sukses, për shkak të mungesës së mjeteve të nevojshme për të thyer sigurinë e pajisjes.
Pas dështimit të këtyre përpjekjeve, telefoni i është kthyer sërish Prokurorisë Speciale.
Avokati i ministrit, Taulant Hodaj, ka refuzuar të komentojë për këtë çështje, duke deklaruar se nuk ka autorizim nga klienti i tij për të dhënë deklarata. 
Prokuroria Speciale nuk ka dhënë ende një përgjigje zyrtare nëse do të ndërmarrë hapa të tjerë për të zhbllokuar telefonin e ministrit.
Një opsion i mundshëm është dërgimi i telefonit për ekzaminim jashtë vendit, një praktikë që është ndjekur edhe nga agjenci të tjera ndërkombëtare në raste të ngjashme.