Forcat amerikane kanë ndërmarrë një tjetër operacion ushtarak në ujërat ndërkombëtare, duke shënjestruar një barkë që dyshohej se po transportonte drogë në Oqeanin Paqësor. Pentagoni ka konfirmuar se mjeti lundrues u godit me sukses gjatë një aksioni ajror të koordinuar.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Sipas sekretarit të Mbrojtjes së ShBA-së, Pete Hegseth, në bordin e barkës ndodheshin dy persona, të cilët humbën jetën pas sulmit. Ai theksoi se asnjë nga pjesëtarët e forcave amerikane nuk është lënduar gjatë operacionit.
Barka, e përshkruar si një mjet i shpejtë dhe i sofistikuar, kishte qenë prej kohësh nën vëzhgim nga inteligjenca amerikane. Zyrtarët besojnë se ajo po transportonte një sasi të konsiderueshme droge përgjatë një rruge të njohur për trafik ndërkombëtar.
Sekretari Hegseth ka deklaruar se ky operacion ishte pjesë e një fushate më të gjerë kundër karteleve të drogës që veprojnë në hemisferën perëndimore. Sipas tij, synimi kryesor është ndërprerja e rrjeteve që përpiqen të fusin lëndë narkotike në tregun amerikan.
Ky sulm shënon herën e parë që forcat amerikane kanë vepruar në Oqeanin Paqësor në kuadër të kësaj fushate, ndërsa shtatë operacione të ngjashme janë kryer më parë në zona të tjera detare.
“Ky është sulmi i tetë që nga 2 shtatori ndaj barkave të dyshuara për trafik droge,” ka bërë të ditur Pentagoni në një deklaratë për media.
Në një postim në rrjetin X (ish-Twitter), sekretari Hegseth paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara nuk do të lejojnë që “narko-terroristët” të krijojnë pozicione të sigurta në afërsi të territorit amerikan.
“Narko-terroristët që kërkojnë të kërcënojnë brigjet tona nuk do të gjejnë strehë askund në hemisferën tonë,” ka shkruar ai, duke i krahasuar kartelet e drogës me grupet terroriste si Al Qaeda.
Sipas tij, këto grupe kriminale po zhvillojnë “një luftë kundër kufirit dhe popullit amerikan”, duke u bërë një rrezik serioz për sigurinë kombëtare.
Në internet është publikuar edhe një video që tregon momentet para sulmit, ku shihet një barkë e kaltër duke lëvizur me shpejtësi në ujërat e hapura, pak sekonda përpara se të goditet nga ajri.
Burime nga Pentagoni kanë bërë të ditur se operacioni u zhvillua me ndihmën e dronëve të pajisur me raketa precize, për të shmangur çdo rrezik ndaj forcave amerikane.
Që prej fillimit të fushatës më 2 shtator, së paku 34 persona janë vrarë në sulmet kundër barkave të dyshuara për trafik droge, përfshirë një incident të fundit në Detin e Karaibeve.