Aktori i njohur turk, Halit Ergenç, është dënuar me burgim me kusht për dhënie të dëshmisë së rreme në lidhje me protestat e zhvilluara në parkun Gezi në vitin 2013.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Një gjykatë në Stamboll e shpalli atë fajtor për përpjekje për të përmbysur qeverinë dhe për pengim të funksioneve shtetërore, duke e dënuar me 1 vit, 10 muaj e 15 ditë burg.
Ergenç ka mohuar të gjitha akuzat që janë ngritur ndaj tij dhe ka deklaruar se nuk ka pasur lidhje me organizatorët e protestave.
Procedurat nisën pasi ai dhe aktori Riza Kocaoglu u thirrën në gjykatë për të dëshmuar rreth agjentes së tyre, Ayse Barim, e cila ndodhet në paraburgim që nga janari për akuzat e njëjta.
Barim dyshohet se i ka udhëzuar aktorët që përfaqësonte të mbështesnin publikisht protestat e parkut Gezi, çka ka sjellë në vëmendje emrat e njohur të ekranit.
Në seancë, Ergenç deklaroi se nuk kishte kontakte me aktivistët Memet Alabora dhe Ayse Barim, por hetuesit paraqitën prova të lidhjeve të tij dhe pamje filmike nga protestat.
Ndërkohë, aktori Riza Kocaoglu u dënua me 1 vit e 8 muaj burg, por njësoj si në rastin e Ergençit, dënimi nuk do të zbatohet nëse nuk kryejnë një tjetër vepër penale në të ardhmen.
Të dy aktorët kanë kërkuar pafajësi dhe hedhje poshtë të akuzave, duke mbrojtur veten gjatë gjithë procesit gjyqësor.
Halit Ergenç është ndër emrat më të dashur të ekranit turk dhe ka fituar famë ndërkombëtare për rolet e tij në serialet “Një mijë e një netë” dhe “Sulejmani i Madhërishëm”.
Protestat e parkut Gezi nisën si një reagim qytetar ndaj planeve për zhvillimin urban të zonës, por shumë shpejt u kthyen në lëvizje të gjera kundër autoritarizmit dhe mungesës së lirive në vend.