Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të mërkurën në bazën ushtarake Fort Stewart në shtetin e Xhorxhias, ku pesë ushtarë janë qëlluar dhe plagosur me armë zjarri.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Zëdhënësit e bazës konfirmuan se incidenti ndodhi në zonën e Ekipit Luftarak të Brigadës së 2-të të Blinduar, një pjesë kyçe e bazës.
Pas të shtënave, ushtarët e plagosur morën ndihmën e parë në vendngjarje dhe më pas u transportuan për trajtim të mëtejshëm në Spitalin Komunitar të Ushtrisë Winn.
Fatmirësisht, autoritetet ushtarake bënë të ditur se nuk ka më rrezik për komunitetin përreth bazës.
Sipas njoftimeve zyrtare, personi i armatosur u arrestua dhe ndodhet tashmë në paraburgim.
Baza Fort Stewart u mbyll menjëherë pas incidentit, rreth orës 11:04 të mëngjesit me orën lokale, ndërsa forcat e sigurisë u vendosën në terren.
Në një postim paraprak në rrjetet sociale, baza kishte bërë të ditur se situata ishte ende në zhvillim dhe kishte viktima të raportuara.
Fort Stewart ndodhet rreth 64 kilometra në jugperëndim të qytetit Savannah dhe konsiderohet si një nga postat më të mëdha të ushtrisë amerikane në lindje të lumit Misisipi.
Në këtë bazë janë të vendosur mijëra ushtarë të Divizionit të Tretë të Këmbësorisë, si dhe anëtarët e familjeve të tyre.
Pas shpërthimit të dhunës, të gjitha hyrje-daljet në bazë u mbyllën përkohësisht, për të garantuar sigurinë e personelit dhe civilëve.
Televizioni lokal WTOC me seli në Savannah raportoi se katër persona ishin dërguar me urgjencë në spital pak pas incidentit.
Sipas burimeve, policia është në dijeni të identitetit të të dyshuarit, i cili aktualisht ndodhet nën hetim nga autoritetet ushtarake dhe civile.