Një ngjarje tronditëse ka goditur mbrëmjen e sotme qytetin e Elbasanit, ku një biznesmen u ekzekutua me armë zjarri në lagjen “Emiri Metraxhiu”. Viktima është identifikuar si Edmond Hyka, i njohur edhe me emrin Mondi Mëhalla, 43 vjeç.

VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 20:35, në karburantin “Xhaxhi Oil”, një biznes në pronësi të viktimës, i vendosur në dalje të qytetit të Elbasanit. Hyka u gjet i pajetë brenda automjetit të tij tip “Range Rover”.

Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë dhe deklarimeve nga vendngjarja, ai sapo kishte dalë nga zyra e karburantit dhe ishte ulur në sediljen e shoferit pak çaste para se të qëllohej.

Autorët kanë hapur zjarr disa herë me pistoletë në drejtim të tij. Dy plumba e kanë goditur në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Sulmi duket i mirëorganizuar dhe i kryer në pak sekonda.

Përveç karburantit, Edmond Hyka zotëronte edhe një shërbim taksi në Elbasan të quajtur “El Taxi”, ku ishte një emër i njohur në fushën e transportit lokal.

Edhe pse ushtronte aktivitetet e biznesit në Elbasan, 43-vjeçari jetonte në Tiranë, në zonën e Komunës së Parisit, ku kishte familjen dhe banesën e tij.

Burime nga organet e rendit bëjnë me dije se Hyka ishte nën hetim dhe në një proces gjyqësor për armëmbajtje pa leje, posedim të sendeve të jashtëligjshme dhe dyshime për aktivitet narkotik.

Një vit më parë, gjatë një kontrolli, policia i kishte gjetur një shkop gome, duke shtuar dyshimet e autoriteteve për aktivitetet e tij të mëparshme.

Për momentin, policia ka rrethuar zonën dhe po këqyr të gjitha kamerat e sigurisë rreth karburantit dhe rrugëve lidhëse me shpresën për të identifikuar autorët.

Hetuesit po punojnë mbi disa pista, përfshirë konfliktet e mundshme të viktimës, aktivitetet e biznesit dhe të kaluarën e tij penale.

Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh në qytetin e Elbasanit, pasi ekzekutimi i kryer në një zonë të populluar tregon rrezikshmëri të lartë dhe qetësi të plotë të autorëve.

Ndërkohë, pritet deklaratë zyrtare nga policia dhe prokuroria, teksa hetimet janë në fazat e para dhe ende nuk ka të dyshuar të shpallur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *