Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi të enjten se forcat ruse e kanë rrethuar qytetin ukrainas Pokrovsk dhe se tashmë kontrollojnë rreth 70 për qind të territorit të tij.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Megjithatë, komandanti i ushtrisë ukrainase njoftoi se trupat e tij po rezistojnë fuqishëm dhe se përleshjet e ashpra po zhvillohen ende brenda qendrës së qytetit.
Raportimet e “Reuters” tregojnë se Rusia po tenton ta marrë plotësisht Pokrovskun që nga mesi i vitit 2024, si pjesë e ofensivës së saj për të kontrolluar të gjithë rajonin e Donbasit.
Pokrovsku, të cilin rusët e quajnë me emrin sovjetik Krasnoarmeyesk, shihet nga Moska si një pikë strategjike për të depërtuar më tej drejt veriut.
Sipas autoriteteve ruse, marrja e këtij qyteti do të hapte rrugën për ofensiva drejt dy qyteteve të mëdha të kontrolluara ende nga Ukraina në Donetsk – Kramatorsk dhe Sloviansk.
Gjatë një konference për media në Kirgizi, Putini tha se forcat ukrainase në Pokrovsk dhe në Myrnohrad janë në një situatë tepër të vështirë.
Ai paralajmëroi se Ukraina mund të përballet me kolapsim të vijës së frontit në disa zona ku luftimet janë intensifikuar.
“Krasnoarmeysk-u dhe Dimitrovi janë të rrethuar plotësisht”, deklaroi Putini, duke pretenduar se njësi të trajnuara mirë të ushtrisë ukrainase po neutralizohen.
Sipas tij, 70 për qind e Pokrovskut është tashmë nën kontroll rus, ndërsa trupat e tij po veprojnë drejt, siç e quajti ai, “shkatërrimit sistematik” të forcave ukrainase.
Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi më herët se njësitet e saj sulmuese po avanconin në pjesët veriore dhe qendrore të Pokrovskut, si dhe përreth Myrnohradit në lindje, jug dhe perëndim.
Ndërkohë, komandanti i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskyi, dha një pasqyrë të ndryshme të gjendjes në terren.
Ai tha në rrjete sociale se forcat ukrainase i kanë ndalur përpjekjet ruse për të hapur sulme të reja dhe po vazhdojnë të mbrojnë linjat e tyre në të dy qytetet.