Kryeministri Edi Rama ka prezantuar planin e ri për rritjen progresive të pensioneve që do të hyjë në fuqi nga janari i vitit të ardhshëm.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Në një takim me qytetarët e njësisë nr. 5 në Tiranë, ai sqaroi se deri në fund të vitit 2030, pensionet urbane me vite të plota pune do të arrijnë në 40 mijë lekë të reja.
Ndërsa për pensionet urbane të pjesshme dhe ato rurale, rritja do të shkojë deri në 18 mijë lekë të reja.
Rama tha se kjo rritje nuk do të ndodhë menjëherë, por do të zhvillohet hap pas hapi, çdo vit, me një progresion të qëndrueshëm.
Sipas tij, që nga janari 2026, çdo pensionist do të përfitojë një shtesë të ndjeshme në pagesën mujore.
“Rritja do të ndodhë çdo janar. Nuk do të presim fundin e mandatit për të mbajtur premtimin,” – theksoi kreu i qeverisë.
Aktualisht, pensioni urban me vite të plota pune është 27 mijë e 350 lekë, ndërsa synimi është që deri në vitin 2030 të arrijë në 40 mijë lekë.
Rama theksoi se për këtë do të përdoret një skemë progresive: çdo vit pensionet do të rriten ndjeshëm në mënyrë të qëndrueshme.
“Çdo janar do të ketë një rritje të re — nga 2026 deri në 2030. Kështu përfitimi do të jetë i vazhdueshëm, jo vetëm simbolik,” – shtoi ai.
Ai sqaroi se edhe pensionet rurale dhe ato të pjesshme do të ndjekin të njëjtën logjikë rritjeje graduale.
“Pensionet rurale, që sot janë 11 mijë e 500 lekë, do të arrijnë në 18 mijë lekë deri në vitin 2030,” – deklaroi Rama.
Sipas tij, ky është një premtim konkret që synon të garantojë siguri ekonomike dhe dinjitet për të moshuarit në vitet në vijim.