Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se nga 1 janari paga minimale në Shqipëri do të jetë 500 euro në të gjitha kompanitë dhe dyqanet, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Gjatë një takimi me banorët e njësisë nr. 5 në Tiranë, Rama sqaroi se për të ndihmuar bizneset që të përshtaten me këtë ndryshim, qeveria do të mbulojë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për 9 muajt e parë për të gjithë punonjësit që aktualisht paguhen nën këtë shumë.
Ai theksoi se ky është një vendim që do të zbatohet në të gjithë vendin, pa përjashtim, dhe se çdo punëdhënës është i detyruar ta respektojë.
“Qeveria do të paguajë sigurimet për 9 muaj, ndërsa punëdhënësit duhet të japin 500 euro të plota në dorë. Nga banka, në emrin e punonjësit, duhet të kalojnë 500 euro çdo muaj,” – u shpreh Rama.
Kryeministri paralajmëroi gjithashtu se paga minimale do të vazhdojë të rritet gjatë mandatit të ardhshëm, duke arritur në 700 euro përpara përfundimit të tij.
Ai pranoi se ka raste abuzimesh nga punëdhënës që i detyrojnë punëtorët të kthejnë një pjesë të pagës, por nënvizoi se tashmë ligji mbron punonjësit që denoncojnë këto raste.
“Punonjësi që denoncon është i paprekshëm. Nuk mund ta heqë njeri nga puna,” – deklaroi Rama, duke inkurajuar qytetarët të raportojnë tek Tatimet apo Ministria e Financave çdo shkelje.
Kreu i qeverisë shtoi se rritja e pagës minimale do të sjellë automatikisht rritje të pagave të tjera në treg, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.
Ai tha se kjo politikë ka dhënë rezultate sa herë është zbatuar dhe se synon të rrisë nivelin e jetesës për të gjithë punonjësit në vend.
Në mënyrë të veçantë, Rama theksoi se do të ketë rritje pagash edhe për mjekët, mësuesit dhe punonjësit e policisë, të cilët do të përfitojnë edhe nga shtesa për vjetërsinë në punë.
Vetëm kjo shtesë, sipas tij, përkthehet në rreth 50 euro më shumë në muaj për gradat e ulëta, përveç rritjes së përgjithshme të pagës.
“Ky është një hap tjetër përpara drejt përmirësimit të mirëqenies dhe dinjitetit të punonjësve shqiptarë,” – përfundoi Rama.