Drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e quajtur atë “shpellar”.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Reagimi i saj erdhi pas deklaratës së Kurtit drejtuar kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, ku i sugjeroi “të gjejë punë në vjeshtë” gjatë një ceremonie për vendosjen e gurthemelit të një çerdheje.
Halimi e ka cilësuar këtë sjellje si “mendësi shpelle”, duke thënë se kjo logjikë po mbyt çdo përpjekje për ta bërë Prishtinën më të jetueshme dhe më dinjitoze.
Sipas saj, në vend që të mbështetet puna dhe përkushtimi i institucioneve lokale, ofrohet vetëm cinizëm dhe bllokada.
Ajo ka kritikuar ashpër situatën politike, duke përmendur mungesën e parlamentit funksional dhe institucionet e paralizuara.
Halimi pretendon se këto pengesa janë të qëllimshme dhe kanë për synim mbajtjen peng të vendit në një mentalitet të prapambetur.
Në reagimin e saj, ajo vlerëson punën e kryetarit Përparim Rama, duke thënë se ai po përpiqet të sjellë projekte konkrete për qytetarët.
Por sipas saj, Rama përballet përditë me bllokada politike dhe me një klimë armiqësore që e pengon në realizimin e këtyre projekteve.
Halimi i ka bërë thirrje qytetarëve që të mos e pranojnë më bllokimin si diçka normale dhe të kërkojnë llogaridhënie.
Sipas saj, përparimi nuk vjen vetë, por kërkon përfshirje, përgjegjësi dhe qëndresë ndaj politikave që, siç thotë ajo, synojnë shkatërrimin.