Çfarë kishte zbuluar gruaja e Mcgonigal për Edi Ramën, që “nuk e zë gjumi”? Nga paratë në apartament, te udhëtimi në

Vdekja e Allison Guerriero, ish-partneres së ish-zyrtarit të FBI-së Charles McGonigal, ka rikthyer në vëmendje rrëfimet e saj për marrëdhënien me të dhe pretendimet që ajo kishte bërë ndër vite.

VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!

Guerriero ishte intervistuar disa herë nga “Daily Mail”, ku kishte folur për periudhën gjatë së cilës kishte qenë në një lidhje me McGonigal, si dhe për dyshimet që, sipas saj, nisën të lindnin gjatë bashkëjetesës së tyre.

Një pjesë e rrëfimeve të saj lidhej me udhëtimet e McGonigal në Shqipëri dhe marrëdhëniet që ai kishte me zyrtarë shqiptarë, përfshirë kryeministrin Edi Rama.

Sipas Guerrieros, McGonigal i kishte thënë se udhëtonte në Tiranë për të punuar me agjencitë ligjzbatuese dhe se kishte bashkëpunim të afërt me Ramën.

Ajo kishte pretenduar gjithashtu se kishte qenë vetë e pranishme kur Rama e kishte kontaktuar McGonigalin në telefon dhe kishte deklaruar se dyshonte në pretendimet se ata nuk njiheshin apo nuk kishin marrëdhënie të afërta.

Një tjetër episod i rrëfyer prej saj lidhet me një shumë prej 80 mijë dollarësh, të cilën Guerriero pretendonte se e kishte gjetur në apartamentin ku jetonin në Brooklyn.

Sipas dokumenteve të çështjes amerikane, më 5 tetor McGonigal kishte marrë 80 mijë dollarë nga një person i përshkruar si ish-zyrtar i inteligjencës shqiptare, në një automjet të parkuar jashtë një restoranti në New York.

Guerriero kishte treguar se disa javë më vonë kishte gjetur një çantë me para në apartament dhe se, në atë kohë, McGonigal i kishte thënë se paratë i kishte fituar duke vënë bast në një ndeshje bejsbolli.

Ky shpjegim, sipas saj, kishte shtuar dyshimet që kishte për aktivitetet e ish-partnerit të saj dhe për mënyrën se si ai po i menaxhonte marrëdhëniet profesionale.

Pas ndarjes së tyre në fund të vitit 2018, Guerriero kishte deklaruar se kishte kontaktuar persona brenda FBI-së për t’u treguar dyshimet e saj, duke pretenduar se nuk ishte marrë seriozisht nga institucionet.

McGonigal u arrestua në janar të vitit 2023 dhe çështja e tij mori vëmendje të madhe edhe në Shqipëri për shkak të kontakteve dhe pagesave të lidhura me vendin dhe me Agron Nezën.

Ndërkohë, vdekja e Guerrieros në Florida ka rikthyer në qendër të vëmendjes deklaratat e saj, por autoritetet kanë deklaruar se deri tani nuk janë konstatuar shenja të një akti kriminal. Shkaku përfundimtar i vdekjes pritet të përcaktohet nga mjekësia ligjore.

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *