Nga data 12 tetor 2025 do të nisë zbatimi i një sistemi të ri për menaxhimin e hyrjeve dhe daljeve në Bashkimin Europian, ku përfshihen edhe shqiptarët që udhëtojnë drejt vendeve të zonës Shengen.

VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!

Ky sistem quhet Entry/Exit System dhe synon të regjistrojë automatikisht të gjitha lëvizjet në kufijtë e jashtëm të BE-së për shtetasit që nuk janë pjesë e unionit.

Regjistrimi përfshin të dhënat kryesore të dokumenteve të udhëtimit, datat e hyrjes dhe të daljes, por edhe elementë biometrikë si gjurmët e gishtave dhe imazhi i fytyrës.

Delegacioni i BE-së në Tiranë ka sqaruar se qytetarët nuk do të kenë nevojë të bëjnë aplikime paraprake dhe nuk do të ketë asnjë tarifë shtesë për këtë proces.

Fillimisht sistemi do të vendoset në mënyrë graduale në disa pika kufitare, për t’u zgjeruar më pas në të gjitha vendet që zbatojnë rregullat e Shengenit.

Pas një periudhe prej rreth gjashtë muajsh, më 10 prill 2026 pritet që sistemi të funksionojë plotësisht në çdo pikë kufitare të jashtme të BE-së.

Ky ndryshim prek udhëtarët që shkojnë për qëndrime të shkurtra, deri në 90 ditë brenda çdo periudhe 180-ditore, qofshin ata me vizë apo të përjashtuar nga kërkesa për vizë.

Regjistrimi elektronik do të bëjë të mundur ruajtjen e çdo hyrjeje apo daljeje, duke e bërë më të thjeshtë verifikimin e kohëzgjatjes së qëndrimit.

Nëse një person tejkalon kohën e lejuar ose i refuzohet hyrja në kufi, kjo do të shënohet automatikisht në sistem dhe do të jetë e dukshme për autoritetet.

BE thekson se ky mekanizëm i ri synon të rrisë sigurinë, të luftojë abuzimet me vizat dhe të përmirësojë menaxhimin e kufijve.

Gjithashtu pritet të lehtësojë kalimin e udhëtarëve të rregullt, pasi kontrollet do të jenë më të shpejta dhe më efikase.

Ky hap shihet si një transformim i rëndësishëm në mënyrën se si menaxhohet lëvizja e qytetarëve drejt vendeve të zonës Shengen dhe pritet të ndikojë drejtpërdrejt edhe mbi shqiptarët që udhëtojnë shpesh në Europë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *