Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se negociatat me Serbinë për njohje reciproke pritet të fillojnë shumë shpejt, me qëllim që marrëveshja të realizohet më së largu në pranverën e vitit të ardhshëm. Ai ka theksuar se ky proces do të mundësojë integrimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, duke marrë si shembull bashkimin e dy Gjermanive pas Luftës së Dytë Botërore.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Kurti ka sqaruar se negociatat bazohen në ofertën e Bashkimit Evropian dhe kanë mbështetjen e Berlinit dhe Parisit. Ai ka nënvizuar se Kosova është një shtet i njohur ndërkombëtarisht, ndërsa Serbia duhet të normalizojë marrëdhëniet për të arritur njohje reciproke.
Sipas tij, marrëveshja do të përfshijë një hapësirë disa mujore ku Kosova dhe Serbia do të ndërmarrin masa për besimin reciprok, përfshirë çështjen e targave të automjeteve. Kurti ka theksuar rëndësinë e respektimit të marrëveshjes nga pala serbe dhe ka kujtuar se shumë marrëveshje të mëparshme nuk janë zbatuar nga Beogradi.
Kryeministri ka vënë në dukje se procesi nuk do të jetë i lehtë, por nuk është i pamundur. Ai beson se garantues do të jenë Brukseli, Parisi, Berlini dhe Uashingtoni, duke e cilësuar këtë si një hap pozitiv drejt normalizimit të plotë.
Kurti ka bërë krahasime me modelin e dy Gjermanive, duke theksuar se marrëveshja duhet të përfshijë njohje reciproke dhe integrim në organizatat ndërkombëtare. Ai ka theksuar se situata globale, përfshirë ndikimin e Kinës dhe Rusisë, mund të ndikojë në dinamiken e procesit.
Ai ka folur edhe për nevojën për përballje me të kaluarën, duke shprehur se pa këtë, Serbia nuk mund të zgjedhë komunitetin evropian. Kryeministri ka rikujtuar se historikisht Ostpolitik filloi me përballje simbolike dhe se një gjë e tillë është e nevojshme edhe për Serbinë.
Kurti ka shtuar se aktualisht individë që mund të bëjnë një hap të ngjashëm si kancelari gjerman Willy Brandt nuk kanë fuqinë për ta bërë këtë në Serbi, pasi janë në opozitë dhe nuk kanë pushtet politik. Ai ka theksuar rëndësinë e një qasjeje që distancohet nga regjimi i Millosheviqit dhe ndikimi rus.
Ai ka sqaruar se normalizimi i plotë duhet të përfshijë drejtësinë tranzicionale dhe distancimin nga krimet e së kaluarës. Ky proces nuk arrihet vetëm përmes gjykatave, por edhe në opinionin publik dhe përmes shoqërisë civile.
Kryeministri ka përmendur se Serbia nuk ka të ardhme evropiane pa u distancuar nga Millosheviqi dhe Putini. Ai ka shtuar se marrëveshja reciproke do të sigurojë që Serbia të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare dhe të mos mbështesë pengesa në Kombet e Bashkuara.
Kurti ka bërë të ditur se takimi i parë i negociatave pritet të mbahet shumë shpejt në Bruksel dhe se pala serbe mund të përpiqet ta zgjatë procesin për dy vjet për shkak të situatës botërore dhe ndikimeve të ekstremit të djathtë. Ai ka përmendur ndikimin e Kishës Ortodokse Serbe, universiteteve dhe mediave të lidhura me Moskën.
Ai ka përfunduar duke shprehur optimizëm, duke theksuar se marrëveshja duhet të jetë ligjërisht e detyrueshme dhe e ndërtuar mbi njohje reciproke. Ai beson se përparimi do të arrihet përmes një kombinimi të presionit ndërkombëtar dhe gatishmërisë së palëve për kompromis.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka theksuar se afatet për marrëveshjen përfundimtare i caktojnë palët dhe jo BE-ja, duke shtuar se kompromisi duhet të gjendet për përfitimin e qytetarëve dhe me frymën evropiane.