Kryeministri Edi Rama zhvilloi një dëgjesë publike me banorët e Njësisë 5 në Tiranë, ku foli për rritjen e pensioneve, pagave dhe një buxhet të veçantë për shëndetësinë.

VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!

Ai tha se qeveria është e përkushtuar të vazhdojë mbështetjen për shtresat në nevojë dhe punonjësit e administratës publike.

Rama e quajti këtë mandat si “mandat në shërbim të njerëzve të punës” dhe theksoi se politika e tij bazohet tek ndihma konkrete, jo tek premtimet boshe.

“Pensionistët do të marrin bonusin që u është premtuar, edhe këtë vit, përpara Vitit të Ri,” deklaroi kryeministri.

Sipas tij, shpërndarja e bonusit do të bëhet para festave, ndërsa nga janari 2026 do të nisë rritja progresive e pensioneve.

Rama njoftoi se pensioni i plotë urban do të bëhet 40 mijë lekë, ndërsa ai rural do të arrijë në 18 mijë lekë.

Ai shtoi se pensionet do të indeksohen çdo vit dhe do të rriten në mënyrë të qëndrueshme, duke siguruar stabilitet për të moshuarit.

Në katër vitet e ardhshme, sipas Ramës, vetëm për pensionistët do të investohen 1.7 miliardë euro, si shenjë kujdesi dhe respekti ndaj tyre.

Kryeministri foli edhe për rritjen e pagave, duke paralajmëruar se paga minimale do të shkojë në 500 euro nga janari 2026, ndërsa sigurimet për këtë kategori do t’i mbulojë qeveria për nëntë muaj.

Ai shtoi se brenda mandatit, paga minimale do të arrijë në 700 euro, dhe do të ketë rritje të ndjeshme për mjekët, mësuesit dhe efektivët e policisë.

Rama njoftoi edhe një buxhet të posaçëm për pacientët me kancer, duke theksuar se çdo i sëmurë do të trajtohet me dinjitet dhe kujdes të plotë.

Në fund, kryeministri foli për situatën në Bashkinë e Tiranës, duke thënë se pavarësisht çështjeve gjyqësore të Veliajt, Tirana nuk duhet të penalizohet dhe puna duhet të vazhdojë normalisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *