Forcat amerikane kanë kryer një sulm të ri ndaj një barke të dyshuar për trafik droge, këtë herë në Oqeanin Paqësor, njoftoi Pentagoni.

VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!

Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, bëri të ditur se dy persona që ndodheshin në bord humbën jetën, ndërsa askush nga trupat amerikanë nuk u lëndua.

Barka ishte nën vëzhgimin e inteligjencës amerikane dhe besohet se po transportonte drogë përgjatë një rruge të njohur ndërkombëtare.

Hegseth theksoi se ky sulm bën pjesë në një fushatë më të gjerë për të goditur kartelet e drogës që përpiqen të vendosin pozicione pranë brigjeve amerikane.

Sulmi në Oqeanin Paqësor shënon herën e parë të këtij lloji në këtë rajon, ndërsa shtatë operacione të tjera janë kryer më parë që nga 2 shtatori në zona të ndryshme detare.

Pentagoni njoftoi se ky është sulmi i tetë kundër barkave të dyshuara për drogë që nga fillimi i muajit shtator.

Në një postim në rrjetin X, sekretari Hegseth paralajmëroi se SHBA nuk do të lejojë që “narko-terroristët” të krijojnë strehë të sigurt në hemisferën perëndimore.

Ai i krahasoi veprimet e karteleve të drogës me aktivitetet e grupeve terroriste si Al Qaeda, duke i përshkruar si një kërcënim ndaj kufijve dhe popullit amerikan.

Në internet qarkulloi një video ku shihet një barkë e kaltër duke lëvizur me shpejtësi para se të goditej nga ajri.

Pentagoni bëri të ditur se sulmi u krye me dronë të pajisur me raketa precize, për të shmangur çdo rrezik për trupat amerikane.

Që nga 2 shtatori, operacionet amerikane ndaj barkave të dyshuara për drogë kanë shkaktuar të paktën 34 vdekje.

Një nga sulmet më të fundit u zhvillua në Karaibe, duke treguar përpjekjen e vazhdueshme të SHBA për të ndaluar trafikun e drogës në ujërat ndërkombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *