Kosova ka bërë të ditur të mërkurën se ka pranuar një ngarkesë me dronë kamikazë të tipit Skydagger, duke shënuar një zhvillim të rëndësishëm në kapacitetet e saj mbrojtëse.

VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e konfirmoi këtë përmes një postimi në Facebook.

Ai theksoi se pajisjet kanë mbërritur më herët nga sa ishte planifikuar dhe se pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës tashmë janë trajnuar për t’i përdorur.

Kurti bëri të ditur se dhjetëra ushtarakë kanë kaluar trajnimin e parë dhe se dronët janë të gatshëm për t’u vënë në funksion.

Skydagger RTF përshkruhet si një sistem i kompletuar “Ready to Fly”, që vjen i pajisur me të gjitha komponentët e nevojshëm për fluturim pa pasur nevojë për ndërhyrje teknike shtesë.

Paketa përfshin trupin e dronit, transmetuesin, marrësin dhe bateritë, duke e bërë të mundur përdorimin menjëherë pas dorëzimit.

Ky model është projektuar kryesisht për misione luftarake si dron kamikazë, por përdoret edhe në fusha civile, për shembull në misione kërkim-shpëtimi apo për vëzhgim.

Sipas të dhënave teknike, Skydagger arrin një shpejtësi deri në 130 kilometra në orë dhe ka një rreze operimi prej afërsisht 10 kilometrash.

Reagimi nga Serbia erdhi menjëherë pas këtij njoftimi. Presidenti Aleksandër Vuçiq akuzoi Turqinë se ka shkelur ligjin ndërkombëtar me këtë furnizim.

Në një reagim në rrjetin X, ai u shpreh se veprimi i Turqisë bie ndesh me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Vuçiq tha se Ankaraja nuk është e interesuar për paqen në Ballkan, por përkundrazi po kërkon të ringjallë ndikimin e saj historik.

Sipas tij, Serbia edhe pse e vogël, e kupton qartë qëllimin e këtyre hapave.

Nga ana tjetër, Radio Evropa e Lirë njoftoi se ka kërkuar qëndrim nga autoritetet turke dhe është në pritje të një përgjigjeje, ndërkohë që kjo temë pritet të ndezë më tej tensionet politike dhe debatin mbi armatimin në rajon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *