Kosova po shihet gjithnjë e më shumë si një destinacion i përshtatshëm për vendosjen e të dënuarve nga vendet evropiane, duke hapur diskutime të reja mbi rolin e saj në sistemin ndërkombëtar të burgjeve.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Pas marrëveshjes me Danimarkën, që parashikon dërgimin e 300 të burgosurve danezë në Gjilan, tashmë edhe Belgjika po shqyrton një plan të ngjashëm.
Dy ministre belge, Annelies Verlinden dhe Anneleen Van Bossuyt, kanë nisur një vizitë zyrtare në Shqipëri dhe Kosovë për të adresuar problemin e mbipopullimit në burgjet e Belgjikës.
Një nga opsionet që po merret në konsideratë është ndërtimi ose marrja me qira e një burgu jashtë Belgjikës për personat e dënuar që nuk kanë të drejtë qëndrimi në vend.
Gjatë takimeve në Prishtinë dhe Tiranë do të diskutohen mundësitë për realizimin e këtij projekti në rajon.
Një tjetër temë e rëndësishme është rikthimi i shtetasve shqiptarë që aktualisht vuajnë dënime në Belgjikë. Sipas të dhënave zyrtare, mbi 300 shqiptarë janë në burgje belge dhe shumica nuk kanë leje qëndrimi.
Verlinden tha se transferimi i tyre në vendlindje do të siguronte ekzekutimin korrekt të dënimeve dhe njëkohësisht do të ulte presionin në sistemin penitenciar belg.
Delegacioni belg pritet të diskutojë edhe mbi marrëveshje për ndarjen e aseteve kriminale të sekuestruara në kuadër të hetimeve të përbashkëta, si dhe mbi forcimin e bashkëpunimit juridik.
Kosova dhe Shqipëria janë duke u shfaqur gjithnjë e më shpesh në hetimet belge, kryesisht në lidhje me pastrimin e parave, trafikimin e qenieve njerëzore dhe kontrabandën.
Marrëveshja me Danimarkën është një shembull i qartë që ka treguar se Kosova është e gatshme të pranojë të dënuar të huaj në këmbim të përfitimeve financiare.
Ky projekt dhjetëvjeçar parasheh akomodimin e 300 të burgosurve danezë, për të cilët Kosova do të përfitojë mbi 200 milionë euro.
Në këtë mënyrë, vendi po konsolidohet si një partner i ri për shtetet evropiane që kërkojnë zgjidhje praktike për krizën e mbipopullimit në burgjet e tyre.