Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, edhe këtë vit ka deklaruar qiranë e tij të vogël prej 250 eurosh për shtëpinë që e shfrytëzon në lagjen Taslixhe. Bëhet fjalë për një hapësirë prej 230 metrash katrorë, çka ka ngjallur shpesh debat për shkak të çmimit simbolik.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Gjatë plotësimit të formularit të deklarimit të pasurisë, Kurti ka hasur në një vështirësi teknike që ka nxitur reagime të ndryshme.
Në një shënim pasues, ai ka treguar se nuk i ishin ruajtur të dhënat për datën e fillimit dhe të mbarimit të qirasë, prandaj u detyrua të japë sqarim shtesë.
Megjithatë, në dokumentin e publikuar figurojnë të shënuara qartë datat përkatëse dhe kohëzgjatja e kontratës.
Në rastin e apartamentit që i përket bashkëshortes së tij, të dhënat janë të vendosura me saktësi, duke shtuar dyshimet përse pikërisht qiraja e tij rezulton me “probleme”.
Nuk dihet ende se çfarë ka ndodhur në sistem dhe pse nuk janë ruajtur si duhet të dhënat.
Në sqarimin e tij, Kurti përmendi edhe emrin e pronarit të shtëpisë, Blerim Zagragja, si përfitues të shumës mujore prej 250 eurosh.
Ai tregoi se kontrata kishte filluar më 1 dhjetor 2020 dhe kishte afat deri më 30 nëntor 2023, me mundësi vazhdimi edhe për tre vite të tjera.
Debati për qiranë e ulët të kryeministrit është ngritur disa herë nga opozita, sidomos nga PSD-ja, që e kanë akuzuar atë për përfitim të pajustifikuar.
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit kishte nisur një verifikim pas raportimeve mediatike, por përgjigje përfundimtare nuk është dhënë as pas 10 muajsh.
Ky institucion ka konfirmuar se po e trajton çështjen, megjithatë transparenca në këtë drejtim ka munguar.
Familja Zagragja, pronare e banesës, njihet si mbështetëse e Albin Kurtit, fakt që ka shtuar më shumë dyshime dhe ka nxitur diskutime publike për konflikt interesi.