Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka paraqitur në Shtetet e Bashkuara vizionin e tij për mënyrën se si qeveria e Kosovës i ka përballuar sfidat e krizave globale.

VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!

Në njoftimin e Kryeministrisë theksohet se Kurti ka marrë pjesë në një diskutim të organizuar nga Instituti Zolberg, me temën “Mbështetja e qytetarëve të thjeshtë në një krizë ekonomike globale: Çfarë mund të mësojë bota nga Kosova”.

Gjatë fjalës së tij, ai vuri në pah qasjen e qeverisë së Kosovës për t’i dalë në krah qytetarëve në periudha të vështira ekonomike. Ai tha se kjo është bërë pa rritur taksat dhe pa e shtuar borxhin publik.

Kurti argumentoi se në kohën kur shumë shtete po përballen me detyrime të mëdha ndaj kreditorëve ndërkombëtarë, është thelbësore që qeveritë të gjejnë mënyra për të ndihmuar qytetarët pa hyrë në spirale borxhesh që mund të rrezikojnë stabilitetin financiar.

Ai theksoi se Kosova ka qenë shembull në këtë drejtim, duke arritur të ofrojë mbështetje sociale dhe ekonomike pa rritur barrën fiskale për qytetarët.

Një nga masat e përmendura ishte përpjekja për të vendosur çmime tavan për produktet bazike, si një mjet për të luftuar inflacionin. Ky ligj u miratua nga qeveria, por më pas u shpall antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese.

Megjithatë, Kurti tha se politikat e qeverisë nuk janë kufizuar vetëm tek kontrolli i çmimeve, por kanë përfshirë edhe mbështetje të drejtpërdrejtë për sektorët më të ndjeshëm të shoqërisë.

Ai përmendi rritjen e punësimit, ndihmën për fermerët dhe bizneset prodhuese, me fokus të veçantë tek ndërmarrjet e vogla e të mesme. Sipas tij, këto janë shtyllat që e mbajnë gjallë ekonominë e vendit.

Gjithashtu, janë marrë masa për të lehtësuar barrën e familjeve, përmes subvencionimit të energjisë dhe mbështetjes për nënat lehona e fëmijët me shtesa financiare.

Një pjesë tjetër e rëndësishme ishte edhe mbështetja për të rinjtë, përmes programeve të punësimit, bursave për studentët, dhe inkurajimit të fushave STEM – shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë.

Kurti theksoi gjithashtu përparësitë në arsim, duke përmendur arsimin publik të lartë falas, si dhe përmirësimet në infrastrukturë, me ndërtimin e shkollave, çerdheve, urave dhe rrugëve që lidhin zonat rurale.

Në fund, ai theksoi rritjen e pagës minimale, pagave në sektorin publik, pensioneve dhe mbulimin më të madh të barnave nga shteti për pacientët, duke e paraqitur këtë si një paketë të plotë që tregon përkushtimin e qeverisë ndaj mirëqenies së qytetarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *