Puntata e parë e sezonit të ri të rubrikës “Shihemi në Gjyq” në programin “E Diela Shqiptare” ka sjellë një histori familjare dramatike mes dy motrave nga Tirana, Fatmës dhe Shpresës. Konflikti i tyre lidhet me ndarjen e një prone, por gjatë ballafaqimit u zbuluan sekrete të errëta që tronditën publikun.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Fatma akuzon motrën se ka marrë pasurinë që u takon të pesë motrave, ndërsa Shpresa pretendon se pronën ia ka blerë babait, i cili donte ta shiste për të larë borxhet e një djali që kishte nga një lidhje jashtëmartesore me vajzën e hallës së tij.
Shpresa deklaroi se familja e tyre prej pesë motrash është përçarë për shkak të veprimeve të babait, i cili jo vetëm që kishte një djalë nga kjo marrëdhënie, por edhe e favorizonte atë në kurriz të vajzave.
Në studio, ajo rrëfeu se djali është 31 vjeç dhe se ky fakt ka qenë shkaku i shumë konflikteve brenda familjes. Ajo e akuzoi babain se ka sjellë trazira, duke i quajtur veprimet e tij tradhti jo vetëm ndaj nënës, por edhe ndaj tyre si fëmijë.
Fatma, nga ana tjetër, kërkoi që prona të ndahet, duke insistuar se motra nuk mund ta mbajë të gjithën për vete. Por Shpresa këmbënguli se e ka blerë me paratë e saj dhe se e meriton, sidomos për shkak të sakrificave që ka bërë për familjen.
Ajo tregoi se për më shumë se 20 vite është kujdesur për nënën dhe motrat, duke i shkolluar, ushqyer dhe veshur, pasi babai kishte hequr dorë nga çdo përgjegjësi. Për këtë arsye, sipas saj, nëna ia fali një pjesë të pronës.
Përveç konfliktit mes motrave, u zbulua se djali nga lidhja e babait ka kërkuar pjesë nga pasuria, madje ka hapur edhe procese gjyqësore kundër nënës së vajzave.
Shpresa rrëfeu se babai shpesh dilte në krah të këtij djali dhe kurrë nuk i kishte pranuar vajzat në të njëjtën mënyrë, gjë që e kishte bërë të ndjehej e mohuar dhe e lënë pas dore.
Ajo madje tha se nuk e pranon më as babain si të tillë, duke e cilësuar mashtrues dhe përgjegjës për gjendjen e krijuar. “Baba është ai që kujdeset për fëmijët e tij, jo ai që i çon në gjyq”, u shpreh ajo me lot në sy.
Fatma dhe Shpresa, megjithatë, mbeten të ndara në qëndrimet e tyre. Fatma kërkon drejtësi dhe ndarje të barabartë të pronës, ndërsa Shpresa beson se sakrifica e saj e justifikon që prona të jetë në emrin e saj.
Konflikti i tyre nxori në pah një histori të mbushur me dhunë psikologjike, neglizhencë prindërore dhe përçarje të thellë familjare, ku pesë motrat ndihen të lëna në hije nga vëllai që babai e konsideronte si “mbretin” e tij.
Në fund, Shpresa tha se ka paguar shtëpinë për nënën dhe motrat dhe nuk kërkon asgjë prej saj, por për magazinën dhe dyqanin ngul këmbë se i takojnë asaj. Ajo e përmbylli duke thënë se, pavarësisht dhimbjes, ajo do të mbajë diçka vetëm për vete, sepse këtë e ka fituar me mund.