Publicisti i njohur Ben Blushi ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, duke e cilësuar atë si të paaftë, të dëmshëm dhe të dhunshëm.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Në një opinion të publikuar në Facebook, Blushi shkruan se edhe popuj të tjerë në histori kanë pasur fatkeqësinë të drejtohen nga liderë të papërshtatshëm, por ata, sipas tij, i kanë larguar shpejt.
Ai përdor një metaforë të fortë, duke thënë se popujt e tjerë “Albinët i zbojnë nga qielli si korbat”, ndërsa për Kosovën kjo mbetet në dorën e qytetarëve.
Blushi shënjestron edhe ata që i quan “Albinsektet”, duke i përshkruar si ushqimi politik i Kurtit, që e mbajnë në këmbë dhe i japin forcë për të mbijetuar në pushtet.
Sipas tij, këta përkrahës i japin jetë retorikës së kryeministrit, e pastrojnë gabimet e tij dhe e mbrojnë edhe kur ai dështon, duke e quajtur hero vetëm pse flet shqip.
Publicisti ngre pyetjen se çfarë ka bërë Kurti gjatë pesë viteve të tij në pushtet, duke e përshkruar gjendjen në Kosovë si më të rënduarën në rajon.
Ai përmend depresionin shoqëror, varfërinë e thelluar, rritjen e papunësisë, mungesën e investimeve publike e të huaja dhe faktin që bizneset po largohen drejt Shqipërisë.
Blushi thekson se me vendimin për pezullimin e dialogut strategjik, Amerika e ka shpallur Kurtin “de fakto non grata”, duke e futur Kosovën në krizë të thellë politike dhe diplomatike.
Në analizën e tij, marrëdhëniet me Evropën janë të bllokuara, Kosova është nën embargo, ndërsa raportet me Shqipërinë janë më të këqijat që nga koha e Jugosllavisë.
Sipas tij, kufijtë janë të hapur, por shpirti është i mbyllur, sepse Kurti ndalon afrimin mes shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë.
Blushi shton se si kurrë më parë ekziston një sentiment i fortë kundër shqiptarëve të Shqipërisë, për të cilin ai e fajëson drejtpërdrejt Kurtin.
Në përfundim, ai thotë se Kurti e humbi mundësinë për t’u bërë shqiponjë, sepse nuk u ngrit kurrë në lartësi, duke mbetur, sipas tij, një “korb që ushqehet me insekte dhe vret fluturat e shpresës”.