Autoritetet gjermane kanë bërë të ditur se plagosja me thikë e një mësueseje në Essen nga një nxënës 17-vjeçar kosovar ka pasur motive fetare. Ministri i Brendshëm i landit NRW, Herbert Reul, publikoi të dhëna të reja lidhur me rastin.

VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!

Sipas tij, analizat fillestare të videove të gjetura në pajisjet e sekuestruara nga i dyshuari kanë ngjallur dyshime serioze se kemi të bëjmë me një krim të motivuar nga bindje fetare.

Reul shtoi se provat për një motivim islamist po shtohen, ndërsa disa komente të 17-vjeçarit pas krimit po shqyrtohen me kujdes nga hetuesit.

Në një video të zbuluar, i riu kishte deklaruar se e kreu aktin pasi mësuesja kishte “fyer Profetin”. Në të njëjtën video ai kishte thirrur disa herë “Allahu Akbar”.

Burime nga policia gjermane kanë konfirmuar se i dyshuari kishte rënë më herët në vëmendjen e organeve të rendit për sjellje problematike.

Në pranverën e vitit 2023, Policia e Essenit kishte përgatitur një raport vëzhgimi ku ai ishte klasifikuar si individ me potencial rreziku.

Megjithatë, pasi për një periudhë ai nuk kishte shfaqur probleme të tjera, ky klasifikim ishte hequr nga policia.

Zyra e Policisë së Landit tani po e rishikon vendimin e atëhershëm dhe po heton gabimet që mund të jenë bërë në menaxhimin e rastit.

Hetimet e fundit tregojnë se 17-vjeçari kishte qenë i përfshirë edhe në dy incidente të tjera: një rast kërcënimi në vitin 2024 dhe një përleshje të rrezikshme trupore në prill të vitit 2025.

Ministri Reul tha se krahas plagosjes së mësueses, policia po heton edhe një ngjarje tjetër që ndodhi të njëjtën ditë në qendër të Essenit, ku një burrë i pastrehë u sulmua me thikë.

Ekziston dyshimi se i njëjti adoleshent mund të jetë autor edhe i këtij sulmi të dytë. Hetimet për këtë rast janë ende në zhvillim.

Rasti ka tronditur opinionin publik gjerman dhe ka ngritur pyetje mbi masat parandaluese dhe monitorimin e individëve të klasifikuar më parë si me rrezikshmëri potenciale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *