Detaje të reja janë bërë publike në lidhje me atentatin e rëndë që ndodhi më 8 shtator në Shkodër, ku dy persona humbën jetën dhe dy të tjerë mbetën të plagosur.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Autori i dyshuar i ngjarjes, Ragip Gila, 30 vjeç, pasi u arrestua nga policia, ka dhënë dëshminë e tij të parë para hetuesve.
Në deklaratën e tij, ai ka pohuar se objektivi i vetëm ishte Erogen Vaso, me të cilin pretendon se kishte një konflikt personal.
Sipas dëshmisë, Gila ka theksuar se nuk kishte qëllim të qëllonte mbi persona të tjerë që ndodheshin në vendngjarje, por vetëm mbi Vason.
Ai ka shpjeguar se marrëdhënia e tyre ishte përkeqësuar prej kohësh dhe se ndihej i kërcënuar prej tij, duke e cilësuar si shkakun kryesor të veprimit të tij.
Megjithatë, atentati çoi në pasoja tragjike: dy viktima, Armando Pali dhe Liridon Kraja, humbën jetën në vend, ndërsa të plagosur mbetën vetë Erogen Vaso dhe kamarierja Meri Kaceri, e cila ndodhej rastësisht aty.
Pas ngjarjes, Gila u ndoq nga policia dhe gjatë përpjekjes për t’u larguar u rrëzua nga një lartësi poshtë shinave të trenit në shtratin e lumit Kir.
Nga rrëzimi ai pësoi një dëmtim në këmbë, gjë që e detyroi të ndalej dhe të dorëzohej tek forcat e rendit.
Në momentin e arrestimit, ai ka deklaruar se e kishte hedhur armën dhe se nuk mund të rezistonte më për shkak të dhimbjeve në këmbë.
Pas shoqërimit, ai u dërgua fillimisht për trajtim mjekësor dhe më pas u mor në pyetje nga hetuesit e çështjes.
Policia megjithatë nuk e ka marrë përfundimisht të mirëqenë versionin e dhënë prej tij dhe po verifikon nëse Gila ka vepruar i vetëm apo ishte pjesë e një plani më të gjerë kriminal.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se po shqyrtohet mundësia e ekzistencës së porositësve të atentatit, me synim ekzekutimin e Erogen Vasos, i cili aktualisht po trajtohet në Spitalin Ushtarak në Tiranë.