Punonjësit e metrosë së Londrës do të nisin një grevë të premten, duke kërkuar paga më të larta dhe kushte më të mira pune. Aksioni sindikal pritet të zgjasë dhe të përshkallëzohet gjatë javës së ardhshme, duke paralizuar ndjeshëm transportin nën tokë në kryeqytetin britanik.

VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!

Sindikata e Hekurudhave, Detare dhe Transportit ka njoftuar se greva do të zhvillohet në faza të ndryshme, duke filluar nga data 5 shtator. Shkaku kryesor i saj lidhet me refuzimin e menaxhmentit për të pranuar kërkesat mbi pagat, oraret e ndërrimeve dhe reduktimin e javës së punës që aktualisht është 35 orë.

Sipas paralajmërimeve, ndikimi më i madh i ndërprerjeve pritet të ndihet nga e hëna deri të enjten e ardhshme, kur pjesa më e madhe e stafit do të ndalojë punën.

Transporti për Londrën, institucioni përgjegjës për rrjetin e transportit publik, përfshirë edhe metronë, theksoi se mbetet në komunikim të vazhdueshëm me sindikatat për të adresuar shqetësimet e punonjësve.

Autoritetet kanë paralajmëruar publikun se midis 8 dhe 11 shtatorit metroja do të ketë shumë pak ose aspak shërbim, ndërsa edhe të dielën, më 7 shtator, priten ndërprerje të konsiderueshme.

Këto zhvillime nuk do të prekin linjën Elizabeth dhe as shërbimet Overground, të cilat do të vazhdojnë normalisht.

Sipas sindikatës, situata ka arritur në këtë pikë për shkak të reduktimit të stafit. Që nga viti 2018 metroja e Londrës ka rreth 2,000 punonjës më pak, gjë që, sipas tyre, ka shtuar presionin mbi punonjësit e mbetur dhe ka shkaktuar ngarkesë të tepruar orësh pune.

Përfaqësues të sindikatës kanë ngritur shqetësimin se oraret e gjata dhe presioni i vazhdueshëm mund të ndikojnë negativisht edhe në shëndetin e punonjësve.

Nga ana tjetër, autoritetet e transportit kanë ofruar një rritje page prej 3.4 përqind, duke e konsideruar këtë një propozim realist dhe të përballueshëm.

Megjithatë, kërkesa për një shkurtim të javës së punës është cilësuar nga drejtuesit e TfL si e papranueshme, duke theksuar se një ndryshim i tillë nuk është praktikisht i realizueshëm dhe do të rëndonte mbi financat e kompanisë.

Kjo situatë ka vënë përballë njëra-tjetrës dy palë që duket se nuk kanë gjetur ende terren të përbashkët për kompromis.

Ndërprerjet e ardhshme rrezikojnë të shkaktojnë kaos në lëvizjen e përditshme të qindra mijëra qytetarëve londinezë që mbështeten te metroja si mjeti kryesor i transportit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *