Presidenti amerikan Donald Trump ka rrëfyer në një mbledhje me donatorët se kishte kërcënuar Vladimir Putinin me bombardimin e Moskës për ta penguar që të ndërmerrte sulm ndaj Ukrainës.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Në disa regjistrime të vitit 2024, të siguruara nga CNN, Trump shfaqet duke diskutuar këtë temë, si dhe çështje të tjera në kuadër të fushatës së tij për rizgjedhje.
Në një pjesë të regjistrimit, Trump shprehet se i kishte thënë Putinit: “Nëse e prek Ukrainën, unë do ta bombardoj Moskën. S’kam zgjidhje tjetër.”
Sipas tij, Putini nuk e kishte marrë seriozisht në fillim, duke i dhënë vetëm 10 përqind besueshmëri paralajmërimit të tij.
Trump ka thënë gjithashtu se kishte përdorur të njëjtën taktikë edhe me presidentin kinez Xi Jinping, duke e paralajmëruar për bombardimin e Pekinit në rast të një sulmi ndaj Tajvanit.
Xi, sipas Trump, kishte reaguar duke menduar se një deklaratë e tillë vinte nga një njeri i çmendur, por marrëdhëniet mes tyre nuk ishin përkeqësuar.
Deklaratat e Trump janë përfshirë në librin “2024”, i cili pritet të dalë së shpejti dhe përmban rrëfime nga takime të mbajtura në Florida dhe Nju Jork.
Regjistrimet zbulojnë një qëndrim të drejtpërdrejtë dhe agresiv të Trump, i cili përpiqej të bindte mbështetësit se vetëm ai kishte aftësinë për të ndaluar krizat ndërkombëtare.
Në të njëjtat mbledhje, ai ka kritikuar ashpër paraardhësin e tij Joe Biden, duke e fajësuar për dobësi në politikën e jashtme.
Trump ka komentuar edhe për protestat pro-palestineze në universitetet amerikane, duke thënë se studentët e huaj që marrin pjesë duhet të dëbohen nga SHBA.
Ai u shpreh se një masë e tillë do ta ndalte menjëherë këtë valë protestash dhe se do ta implementonte nëse rizgjidhej president.
Në një tjetër episod, ai tregoi me krenari se kishte bindur një donator që të rrisë ndihmën nga 1 milion në 25 milionë dollarë, vetëm në këmbim të një dreke.
Me humor, Trump tha se donatori ishte “i çmendur” që i dha atë shumë, duke theksuar se suksesi në politikë vjen nga guximi për të kërkuar.