Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shprehur kritika të ashpra ndaj bashkësisë ndërkombëtare, duke i akuzuar ata për dobësimin e qëllimshëm të Serbisë, ndërkohë që ndihmojnë vendet e tjera në rajon të forcohen.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Gjatë një fjalimi të mbajtur të dielën, Vuçiq deklaroi se ndërkombëtarët kishin dhënë shumë premtime lidhur me zhvillimet politike në Kosovë, por sipas tij, asnjëra prej tyre nuk ishte mbajtur.
Ai e cilësoi këtë qasje si të padrejtë dhe ofenduese, duke përdorur një gjuhë të ashpër dhe akuzuese për qëndrimin e perëndimit ndaj Serbisë. “Turp për ju”, u shpreh ai në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Vuçiq theksoi se Serbia ishte vendosur përballë një presioni të vazhdueshëm për të qëndruar e heshtur dhe për të pranuar realitetin, me premtime të kota se territori i saj nuk do të cenohej.
“Na u tha që të mos kthehemi në të kaluarën, se nuk do të ketë më luftëra apo konflikte. Na siguruan se Kosova ishte ende pjesë e jona”, tha ai.
Sipas tij, këto premtime kishin krijuar një ndjenjë të rreme sigurie, që më pas u thyen kur Serbisë filluan t’i kërkoheshin lëshime të reja territoriale.
“Pastaj, papritur, na thanë se Kosova nuk mund të jetë më pjesë e Serbisë, e tani duan të marrin edhe 14 përqind të territorit tonë”, deklaroi Vuçiq me shqetësim.
Presidenti serb akuzoi perëndimin për standarde të dyfishta dhe për një qëndrim arrogant, duke thënë se “të fuqishmit nuk pranojnë kurrë gabimet e tyre”.
Ai tha se përkundër qëndrimeve dhe veprimeve të padrejta, Serbia vazhdimisht cilësohet si fajtore, ndërsa të tjerët mbrohen e përkrahen.
“Ata forcojnë çdo gjë përreth nesh, ndërsa ne jemi të vetmit që dobësohemi çdo ditë e më shumë”, theksoi ai.
Vuçiq shtoi se, në vend që të pranojnë gabimet që kanë bërë në Kosovë apo ndaj Republikës Serbe, fuqitë perëndimore sillen sikur janë të pagabueshme.
Në përfundim, ai theksoi se Serbia dhe populli serb nuk do të shërbejnë si vegla të interesave të jashtme, duke përmendur specifikisht gjendjen në Kosovë dhe zhgënjimin e tij ndaj qëndrimeve të bashkësisë ndërkombëtare.