Nëntë muaj pas arrestimit të Ilir Metës, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për një nga çështjet më të bujshme në historinë politike shqiptare. Bëhet fjalë për dosjen “Meta”, e cila përfshin aferën CEZ-DIA dhe skandalin e lobimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim në SHBA.

VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!

Me përfundimin zyrtar të hetimeve, SPAK ka marrë të pandehur pesë persona, mes tyre figura kryesore të jetës politike si ish-presidenti Ilir Meta dhe ish-kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. Ata përballen me akuza të rënda që përfshijnë korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Sipas hetimeve, Meta dhe Kryemadhi dyshohet se kanë përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme ndër vite, duke përdorur pushtetin politik dhe lidhjet familjare për të kamufluar burimet reale të të ardhurave. Të ardhura të konsiderueshme janë maskuar përmes transaksioneve të dyshimta dhe marrëdhënieve personale.

Në listën e të pandehurve është edhe Pirro Xhixho, ish-drejtor i AKEP dhe babai i deputetes së Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho. Ai akuzohet për korrupsion pasiv. Po ashtu, edhe Ema Çoku, një emër i njohur si mikesha e afërt e Kryemadhit, është nën hetim për pastrim parash.

Fatime Kryemadhi, nëna e Monika Kryemadhit dhe vjehrra e Ilir Metës, është marrë gjithashtu e pandehur për të njëjtën vepër penale. Ajo u paraqit sot në ambientet e SPAK për t’u njohur me akuzat, por u largua pa u marrë në pyetje për shkak të një problemi me përfaqësimin ligjor.

Avokatja e saj, Ema Çoku, ndodhet gjithashtu në pozitën e të pandehurës dhe për këtë arsye përfaqësimi i saj konsiderohet i papranueshëm. SPAK i ka kërkuar zonjës Kryemadhi të rikthehet nesër për të vijuar me procedurat.

Po sot, akuzat zyrtare për pastrim parash iu komunikuan edhe Ema Çokut dhe Pirro Xhixhos. Ndërkohë, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi ishin marrë të pandehur më herët, më 29 maj 2025.

Monika Kryemadhi pritet të rikthehet nesër në orën 13:00 në ambientet e SPAK për t’u njohur me dosjen përfundimtare dhe akuzat që rëndojnë ndaj saj dhe bashkëpandehurve.

Aktualisht, Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të vitit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është nën masën e “detyrimit për paraqitje”. Të dy kanë qenë figura dominuese të politikës shqiptare për më shumë se dy dekada.

Procesi ndaj tyre konsiderohet si një nga momentet kyçe të drejtësisë së re në Shqipëri, ndërsa opinioni publik e ndjek me vëmendje çdo zhvillim të kësaj dosjeje me jehonë të madhe politike e juridike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *