Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” ka ngritur alarmin për një rënie të ndjeshme të fuqisë punëtore në Kosovë, duke e cilësuar situatën si shqetësuese për të ardhmen socio-ekonomike të vendit. Sipas tyre, Kosova ka humbur afërsisht 100 mijë persona nga fuqia e saj punëtore në një periudhë shumë të shkurtër kohore, gjë që kërkon një reagim të menjëhershëm institucional.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Gratë dhe të rinjtë janë grupet më të goditura nga kjo rënie. Instituti vë në dukje se shkalla e lartë e joaktivitetit ekonomik në vend, e cila arrin në 56.8%, e rendit Kosovën së bashku me Bosnje-Hercegovinën si dy vendet me përqindjen më të madhe të popullsisë joaktive në rajon. Kjo shifër është më shumë se dyfishi i Shqipërisë, e cila ka 23.3%.
Sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në vitin 2024 ka pasur rreth 11 mijë të punësuar më pak sesa në vitin 2023. Kjo rënie prek të dy gjinitë, me mbi 3.800 gra dhe 7.200 burra më pak të punësuar. Gjithashtu, numri i personave aktiv ka rënë nga 477 mijë në 464 mijë, duke reflektuar një largim masiv nga tregu i punës.
Rënia më e madhe vërehet te personat joaktivë, të cilët janë në moshë pune, por nuk janë as të punësuar dhe as nuk kërkojnë punë. Në vitin 2024 ky grup është rritur në mënyrë dramatike, duke u bërë 84.276 persona më shumë krahasuar me një vit më parë. Kjo nënvizon një prirje alarmante drejt pasivizimit të fuqisë punëtore.
Një pjesë e kësaj situate mund të shpjegohet me punësimin informal dhe shkallën e lartë të ekonomisë gri, e cila sipas disa vlerësimeve arrin në rreth 30%. Por pavarësisht pohimeve të qeverisë për sukses në formalizimin e tregut, inaktiviteti mbetet shumë i lartë, çka hedh dyshime mbi efektivitetin e masave të deritanishme.
Situata është veçanërisht problematike për gratë. Vetëm 114 mijë gra janë të punësuara në Kosovë, krahasuar me gati 400 mijë që qëndrojnë jashtë tregut të punës. Ky disproporcion evidenton pabarazitë strukturore gjinore që vazhdojnë të mbeten të patrajtuara me seriozitet nga qeveritë e njëpasnjëshme.
Masat e fundit të qeverisë për rritjen e punësimit të grave nuk kanë dhënë efektin e dëshiruar. Ndërsa punësimi i burrave ka pasur një rritje prej 2.5%, ai i grave është rritur vetëm me 1.4%. Për më tepër, përkundër rënies së përgjithshme të numrit të të punësuarve, përqindja e punësimit duket sikur ka rritje për shkak të reduktimit të numrit të personave aktivë.
Papunësia tek të rinjtë gjithashtu është rritur. Në grupmoshën 15–24 vjeç, papunësia është rritur nga 17.3% në 19.5%. Gratë e reja përballen me një nivel edhe më të lartë, ku 24.7% janë të papunë krahasuar me 16.7% të burrave të rinj, duke nxjerrë në pah edhe njëherë hendekun gjinor.
Një tjetër tregues i brishtë është punësimi i paqëndrueshëm, i cili përbën 14.5% të totalit të vendeve të punës. Kjo përkthehet në mbi 60 mijë persona që punojnë në kushte jo të sigurta dhe pa garanci afatgjatë, duke kontribuar në pasigurinë ekonomike.
Por ndër të gjitha, më alarmante mbetet fakti që në vetëm një vit Kosova ka humbur afër 100 mijë veta nga fuqia punëtore – një përzierje e atyre që nuk janë më aktivë dhe atyre që kanë dalë krejtësisht nga tregu i punës. Ky trend nuk mund të fshihet pas përqindjeve dhe statistikave të përpunuara.
Instituti kërkon përgjegjësi të qarta nga institucionet: Pse ka ndodhur kjo rënie masive? Çfarë masa po ndërmerren për ta rikuperuar këtë humbje? Si po trajtohet informaliteti dhe pse gratë dhe të rinjtë vazhdojnë të përjashtohen nga tregu? Këto janë pyetje që kërkojnë përgjigje konkrete.
Në fund, mesazhi është i qartë – nuk mjafton një narrativë e ndërtuar për sukses imagjinar. Kërkohet transparencë, vullnet politik dhe veprim real për të përmbysur këtë rënie të rrezikshme në fuqinë punëtore dhe për të siguruar një të ardhme më të qëndrueshme për qytetarët e Kosovës.