Nga mbështetja financiare për sistemet e ujitjes në pemëtore, ullishte apo vreshta, deri te dhënia paraprake e 30% të financimit në rast se garantohet nga një shoqëri sigurimi apo bankë, si dhe mbulim i investimeve deri në 15 milionë lekë për hektar nëse bëhet investim për ngritjen e serrave diellore për kultivimin e perimeve, luleshtrydheve dhe rrushit, janë disa nga masat e reja që iu shtohen skemës kombëtare për mbështetjen e bujqësisë.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Qeveria ka miratuar këto ndryshime në vendimin nr. 150, datë 6 mars 2025, me qëllim rritjen e mbështetjes financiare për investimet në sektorin bujqësor.
Ky vendim përcakton kriteret bazë për sektorët që do të përfitojnë financim nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural gjatë vitit 2025.
Në veçanti, ndryshimet përfshijnë masa të reja financimi, ku përfitimi është 50% i vlerës totale të faturave tatimore, por nuk mund të tejkalojë 15 milionë lekë për hektar për ndërtimin e serrave diellore të reja me perime, përfshirë edhe instalimin e sistemeve të ujitjes.
Për serrat e reja për prodhimin e rrushit mbështetja arrin deri në 8 milionë lekë për hektar, ndërsa për serrat e luleshtrydheve, masa e mbështetjes është deri në 4 milionë lekë për hektar.
Financimi për mbjelljet e reja të pemëve frutore, ullinjve, agrumeve dhe vreshtave do të realizohet për sipërfaqe prej së paku 0.5 hektar deri në maksimum 10 hektar, me një përfitim prej 50% të vlerës së faturave tatimore, por jo më shumë se 800 mijë lekë për hektar.
Gjithashtu, shtohet mbështetja për instalimin e sistemeve moderne të ujitjes me pika dhe për mbrojtjen nga breshëri, ku fermerët mund të përfitojnë subvencione nga 250 mijë lekë për hektar deri në 1.5 milionë lekë për hektar, në varësi të llojit të investimit.
Përveç kësaj, do të mbështeten edhe investimet në linjat e përpunimit dhe etiketimit të perimeve, rrushit dhe verës, ullirit dhe vajit të ullirit, me një përfitim prej 50% të faturave tatimore, por jo më shumë se 7.5 milionë lekë për subjekt.
Masa financiare do të përfshijë edhe mbështetje për investime në agroturizëm, me përfitim deri në 15 milionë lekë për subjekt, si dhe për akuakulturën detare, konkretisht për koshat dhe rrjetat e rritjes së peshkut, me të njëjtën masë përfitimi.
Në vendimin e ndryshuar përcaktohen edhe kriteret e saktësuara për sektorët dhe masat e përfitimit, duke përfshirë:
* Mbështetje për rritjen e kapaciteteve prodhuese në ferma, përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore, zhvillimin e agroturizmit dhe akuakulturës.
* Pagesa paraprake deri në 30% të masës së financimit të kontraktuar, kundrejt garancisë së pagesës së siguruar nga shoqëri sigurimi dhe/ose banka.
* Mbështetje për ndërtimin e serrave diellore të reja me sipërfaqe minimale 0.2 hektar dhe maksimale 2 hektar, me masa specifike për serrat e prodhimit të perimeve, rrushit për tavolinë dhe luleshtrydheve.
* Financim për mbjelljet e reja të pemëve frutore, ullinjve, agrumeve dhe vreshtave, për sipërfaqe nga 0.5 deri në 10 hektar.
* Pagesë shtesë për sistemet e ujitjes me pika dhe rrjeta mbrojtëse për pemë, agrume dhe vreshta.
* Financim për ndërtimin e ambienteve të reja për mbarështimin e kafshëve dhe stabilimenteve për rritjen e shpendëve, me kapacitete të përcaktuara minimale.
* Mbështetje për mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës në fermat bujqësore dhe blegtorale.
* Investime në linja për përpunimin, seleksionimin, paketimin dhe etiketimin e produkteve bujqësore si perimet, frutat, rrushi, vera, ulliri dhe vaji i ullirit.
* Mbështetje për zhvillimin e agroturizmit dhe akuakulturës detare me masa të përcaktuara financimi.
Fondi total për këtë program mbështetës është përcaktuar në dy miliardë lekë për vitin 2025, me një pjesë të akorduar prej 537.8 milionë lekë në programin buxhetor për zhvillimin rural dhe do të plotësohet në buxhetin e vitit 2026, si pjesë e Programit Buxhetor Afatmesëm 2026–2028.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ngarkohet me përgjegjësinë për zbatimin e këtij vendimi, i cili hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare.