Një studim i ri alarmues nga Imperial College London dhe London School of Hygiene & Tropical Medicine ka tronditur opinionin publik në Evropë. Sipas këtij hulumtimi, vala e të nxehtit që përfshiu kontinentin në fund të qershorit 2025 ka trefishuar numrin e vdekjeve që lidhen drejtpërdrejt me temperaturat ekstreme.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Brenda vetëm 10 ditëve, nga 23 qershori deri më 2 korrik, janë regjistruar mbi 2,300 vdekje të tepërta në 12 qytete të mëdha evropiane, përfshirë Parisin, Londrën, Romën, Barcelonën dhe Milanon. Rreth 1,500 prej tyre janë vdekje që, sipas shkencëtarëve, nuk do të kishin ndodhur pa ndikimin e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu.
Temperaturat gjatë asaj periudhe tejkaluan 40°C në Spanjë, ndërsa në shumicën e qyteteve të tjera ishin 2 deri në 4 gradë mbi mesataren sezonale. Ky është një shembull brutal i mënyrës se si ngrohja globale nuk është më një paralajmërim për të ardhmen, por një realitet i hidhur i së tashmes.
Grupmosha më e rrezikuar doli të jetë ajo mbi 65 vjeç. Më shumë se 85% e viktimave ishin të moshuar, një grup që gjithmonë vuan më rëndë pasojat e valëve të të nxehtit, sidomos nëse jetojnë vetëm ose pa ndihmë shëndetësore të rregullt.
Milan kishte 317 vdekje të tilla, Barcelona 286, Parisi 235 dhe Londra 171. Janë shifra që i japin emër tragjedisë që përndryshe ndodh në heshtje – pa tym, pa flakë, por me pasoja vdekjeprurëse.
Ekspertët e përshkruajnë të nxehtit ekstrem si “vrasësin e heshtur”. Ndryshe nga përmbytjet apo stuhitë që janë të dukshme dhe dramatike, vala e të nxehtit vret në heshtje – në shtëpi, në spital, në vetmi.
Sipas të dhënave nga Copernicus, vdekjet që lidhen me të nxehtin janë rritur me 30% në 20 vitet e fundit në Evropë. Dhe tendenca është në rritje, jo në ulje. Klima po shkon drejt një pike ku as qindra kondicionerë nuk do të mjaftojnë.
Skenarët për të ardhmen janë edhe më të frikshëm: deri në vitin 2050, mbi 5 miliardë njerëz në botë do të ekspozohen ndaj të nxehtit ekstrem për muaj të tërë çdo vit. Dhe Europa nuk është më e përjashtuar nga kjo.
Në vitin 2023, thuajse 48,000 njerëz vdiqën në Evropë për shkak të të nxehtit, megjithëse masat parandaluese e kishin ulur atë numër me rreth 80%. Por duket se çdo vit po bëhet më i keq se i mëparshmi.
Ndër vendet më të goditura, si gjithmonë, janë ato të Evropës Jugore – Greqia, Spanja, Italia, Portugalia, Bullgaria. Veçanërisht të rrezikuara janë gratë mbi 80 vjeç, që shpesh jetojnë të vetmuara dhe në kushte të dobëta.
Ky studim është një alarm serioz: jo për të shkruar raporte, por për të vepruar. Pa reduktim drastik të emetimeve, përgatitje më të mira në shëndetësi dhe ndërtim të infrastrukturës kundër të nxehtit, këto valë do të bëhen pjesë e përditshmërisë – dhe më e keqja është se viktimat do të jenë gjithmonë të njëjtat: më të dobëtit.
Ndryshimet klimatike nuk janë më një krizë që vjen – ato janë një krizë që po ndodh.