Emisioni “Në Shënjestër”, përgatitur dhe drejtuar nga gazetarja Klodiana Lala, solli këtë të martë detaje të reja lidhur me zhdukjen e 30-vjeçarit Eraldo Muçi nga fshati Bylysh i Bashkisë Memaliaj, një emër i njohur për miqësinë e tij me Aleksandër Sadikajn, i njohur ndryshe si “Sanço”.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Sipas dëshmisë së nënës së tij, Trëndafile Muçi, kontakti i fundit me të birin ka qenë mëngjesin e 15 qershorit. Ajo rrëfeu se kishte folur me të rreth orës 09:00, kur ai i kishte thënë se po pinte kafe në Memaliaj dhe se do të kthehej në shtëpi, por nuk u kthye më.
Hetimet kanë çuar në pistën se zhdukja e Eraldos mund të lidhet me lidhjet që kishte me Sadikajn, i cili u vra më 11 qershor 2022 me shpërthim tritoli. Vrasja e tij u pasua nga një seri atentatesh e ekzekutimesh, të dyshuara si pjesë e një zinxhiri hakmarrjesh.
Në vijim të ngjarjeve, më 20 korrik 2024, në Memaliaj u krye një tjetër atentat me tre viktima: babai i Andrea Kalemit, Shyqyri Kalemi, kamarieri Gledio Muka dhe klienti Marsel Çela. Ky atentat pason zhdukjet e dy personave në prill të vitit 2023 dhe shihet si pjesë e të njëjtës sagë kriminale.
Në lidhje me zhdukjen e Eraldos, dëshmitë tregojnë se më 15 qershor ai kishte shkuar në fermën e kuajve në pronësi të familjes Sadikaj. Menaxheri i fermës tha se ai kishte kërkuar para borxh për të shkuar në Durrës, duke lënë të kuptohet se udhëtimi i tij ishte i shkurtër. Që nga ajo ditë, telefoni i tij është i fikur dhe nuk është kontaktuar më.
E fejuara e tij, e cila jeton në Durrës, kontaktoi fillimisht menaxherin dhe më pas familjen e tij, duke u përpjekur të mësojë më shumë rreth vendndodhjes së Eraldos. Prindërit e tij janë në gjendje të rënduar emocionale, pasi nuk kanë marrë asnjë informacion të saktë për fatin e të birit.
Në përpjekje për të ndriçuar këtë çështje, janë marrë në pyetje edhe tre miq të tij në Memaliaj, të cilët kanë deklaruar se nuk kanë pasur kontakte me të pas mbrëmjes së 15 qershorit dhe nuk kishin vënë re ndonjë shqetësim të pazakontë nga ana e tij.
Zhdukja e Eraldo Muçit mbetet ende një mister, i lidhur ngushtë me një seri ngjarjesh të rënda kriminale që po tronditin jugun e vendit.